Ambasadorët e Quintit i shkojnë në zyrë kryeministrit Kurti

Kryeministri Albin Kurti sot ka pritur në zyrët e tij ambasadorët e Quintit dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ku u diskutua për zhvillimet e fundit në vend.

Në takim ishte i ngarkuari me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nicholas Giacobbe, ambasadorin e Gjermanisë, Joern Rohde, ambasadorin e Britanisë, Nicholas Abbott, zëvendësambasadorin e Francës në Kosovë, Francois Cypien, ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, dhe përfaqësuesin e posaçëm e Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për punën dhe vendimet e Qeverisë në përmbushje të prioriteteve të programit qeverisës. Për masat e fundit kundër pandemisë COVID-19 që i përgjigjen situatës pandemike dhe monitorimin e vazhdueshëm që institucionet shëndetësore po i bëjnë variantit Omicron dhe për procesin e vaksinimit si mënyra më efikase për t’u mbrojtur nga virusi dhe variantet e tij. Kryeministri po ashtu foli për përkushtimin e Qeverisë për reformat në vend dhe integrimin Evropian dhe euro-atlantik të vendit, dhe rëndësinë që bashkëpunimi me shtetet e QUINT-it ka në arritjen e këtyre synimeve. Ai falënderoi ata për mbështetjen e vazhdueshme që si shtete partnere dhe mike i kanë ofruar shtetit dhe popullit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në fund të takimit u nënshkrua Marrëveshja e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për vazhdimin e shfrytëzimit të ndërtesës në të cilën janë të vendosura zyrat e Bashkimit Evropian në Kosovë. ​