Ambasada gjermane: Për 1 vit, 13 mijë viza pune për kosovarët

Brenda një viti vetëm Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë i ka lëshuar rreth 13 mijë viza pune për kosovarët.

Me viza të tilla qytetarët po pajisen edhe në Ambasadën e Kroacisë, të Sllovenisë etj. Në mungesë të vendeve të punës në Kosovë të rinjtë janë orientuar masivisht drejt Evropës.

Mungesa e vendeve të punës në Kosovë ka nxitur shumë të rinj që të gjejnë alternativa për punësim në vende të ndryshme të Evropës.

Gjermania është në krye të listës së kërkesave të kosovarëve për punësim, e pasuar nga Kroacia, Sllovenia etj., duke u bazuar në statistikat e pajisjes me viza pune nga ambasadat e shteteve të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë.

Zyrtarë të Ambasadës Gjermane në Prishtinë i kanë thënë gazetës “Zëri” se gjatë vitit 2018 i kanë lëshuar gjithsej 38 mijë viza, prej të cilave 13 mijë për të studiuar ose për të punuar në Gjermani.