Ambasada e Ukrainës në Beograd thotë se e mbështet integritetin territorial të Serbisë

Ambasada e Ukrainës në Beograd, ka kritikuar Rusinë, duke thënë se është e papranueshme që po përdoret rasti i Kosovës në përpjekje për legjitimin e agresionit Rus ndaj Ukrainës.

Ambasada e Ukrainës ka thënë se e mbështet integritetin territorial të Serbisë.

“Ukraina mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Republikës së Serbisë. Ne i konsiderojmë të papranueshme narrativat e diktatorit nga Kremlini, i cili po përpiqet ta përdorë në mënyrë manipuluese ‘precedentin kosovar’ në përpjekjet për ta legjitimuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës evropiane të pavarur e sovrane”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Ukrainës në Beograd, raporton “Kossev”.

Reagimi ka ardhur pasi Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë njoftoi se referendumet në territoret ukrainase janë mbajtur në përputhje të plotë me standardet dhe parimet e të drejtës ndërkombëtare dhe i është referuar rastit të Kosovës.

“Populli i Donbasit dhe i Ukrainës jugore ushtroi të drejtën e tij legjitime për vetëvendosje në përputhje me Kartën e OKB-së, marrëveshjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut nga viti 1966, Aktin Final të Helsinkit të OSBE-së të vitit 1975 dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të OKB-së për Kosovën më 22 korrik të vitit 2010. Ky vendimi i fundit ka konfirmuar se shpallja e njëanshme e pavarësisë së një vendi nuk cenon asnjë normë të së drejtës ndërkombëtare”.