Ambasada e SHBA’së : Lëreni Gjykatën Speciale ta bëjë punën e saj pa ndërhyrje

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u kishte kërkuar me ngulm deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në vitin 2015 ta votonin Gjykatën Speciale. Tani, kjo ambasadë kërkon që politikanët në Kosovë ta lënë këtë institucion që ta vazhdojë punën, duke mos e ndryshuar mendimin e shprehur atëherë se “Gjykata Speciale është thellësisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Në një përgjigje për Express, ambasada e SHBA-së në Prishtinë u ka kërkuar politikanëve në Kosovë që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Speciale.

“Pozita e SHBA-së është e pandryshuar. Ne e mbështesim punën dhe mandatin e Dhomave te Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dhe nxisim të gjithë të interesuarit qe t’i lejojnë ata që të vazhdojnë punën e tyre pa ndërhyrje të çfaredo lloji”, thuhet në përgjigjjen e ambasadës së SHBA-së.

Po kështu, në prill të vitit 2014, ambasada e SHBA-së u kërkonte deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votonin për ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Atëherë, SHBA vlerësonte se për të ecur përpara, Kosova duhej të tregonte përkushtimin e saj në një proces të paanshëm juridik e të pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, që do t’i jepte epilog pohimeve të Raportit të Këshillit të Evropës në vitin 2010. Kështu edhe vepruan deputetët, 82 prej të cilëve një vit pas ngritën duart për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Bota është duke shikuar për të parë a është Kosova e përkushtuar për një proces juridik që me paanshmëri mund t’i zgjidhë këto pohime përfundimisht”, thuej atëherë në komunikatën e ambasadës së SHBA-së.

Dy vjet pas, në vitin 2017, 43 deputetë kishin thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Në mënyrën më të ashpër ndonjëherë kishte reaguar ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, duke paralajmëruar pasoja të rënda për ata politikanë që mendonin ta mbështesnin këtë iniciativë.

Një vit pas iniciativës së lënë në gjysmë për ta zhbërë Specialen, në dhjetor të vitit 2018, Zyra e Prokurorit të Specializuar nisi të ftonte ish-komandantë dhe ish-ushtarë të UÇK-së për intervistim.

Edhe për ditët si ajo e 4 dhe 5 nëntorit kur u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ambasadori Delawie atëherë kishte porositur që Kosova t’i respektonte vendimet e Speciales.

“Nuk kam asnjë ide se kur do të ngriten aktakuzat; apo ndaj kujt; nuk dua ta di. Por, kurdo që kjo ndodh, pres që Kosova ti respektojë ato duke përmbushur premtimin e saj dhënë bashkësisë ndërkombëtare”, kishte thënë ai.

Aktakuzat dhe arrestimet e Speciales nxitën reagimin e politikanëve në Kosovë.