Ambasada e ShBA-së pret në takim gazetarët e kameramanët që raportuan nga veriu

Ambasada e ShBA-së në Kosovë, ka pritur në një takim gazetarët dhe kameramanët që kanë përcjellë tensionet e fundit në veri të vendit.

Ambasada tha se gazetarët e kameramanët po punojnë çdo ditë, e ndonjëherë edhe në rrezik të madh për sigurinë e tyre.

“Sot me kënaqësi mirëpritëm në Ambasadë gazetarët dhe operatorët e kamerave që kanë përcjellë tensionet e fundit në veri të Kosovës. Këta persona të guximshëm po punojnë çdo ditë për të siguruar që publiku të marrë informacion të saktë për situatën në terren – ndonjëherë në rrezik të madh për sigurinë tyre. Faleminderit secilit prej jush për raportimin tuaj të palodhur dhe të patrembur”, thuhet në reagimin e ambasadës, transmeton Klankosova.tv.

Për takimin ka njoftuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku thuhet se gazetarët e kameramanët ndanë nga afër përvojat e tyre të raportimit.

“Kolegët që u shoqëruan nga Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha dhe Zyrtarja për Komunikim, Rabije Hyseni, ndanë nga afër përvojat e tyre të raportimit nga disa prej komunave veriore të Kosovës, ku javë më parë pati tensione”, thuhet në njoftimin e AGK-së.