LAJMI I FUNDIT

Ambasada britanike i kundërpërgjigjet Vuçiqit: Elemente të fuqishme ruse veprojnë në Serbi

Britania e Madhe nuk e konsideron Serbinë si shtet “proksi rus”, por se elementë të caktuar në vend veprojnë drejtpërdrejt në interes të Rusisë, u tha sot agjencisë Beta në ambasadën britanike në Beograd.

“Ne besojmë se në Serbi ka elementë që veprojnë drejtpërdrejt në interes të Rusisë duke kërcënuar stabilitetin dhe kapacitetet demokratike të rajonit. Serbia është shtet i pavarur, sovran. Mbretëria e Bashkuar ka bashkëpunuar me Serbinë për një sërë prioritetesh të përbashkëta për një kohë të gjatë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë”, tha Ambasada duke komentuar deklaratën e kreut të diplomacisë britanike, David Cameron, në Komitetin e Politikës së Jashtme të parlamentit britanik, transmeton Ballkani.info.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha dje se ishte i zhgënjyer nga deklarata e Cameron dhe shtoi se “Serbia nuk është përfaqësuese e Rusisë, Amerikës, Britanisë, Gjermanisë apo kujtdo tjetër, por një vend i pavarur”.

Nga ambasada e Britanisë së Madhe thanë sot se Cameron “tregon elemente brenda Serbisë që ata besojnë se punojnë drejtpërdrejt në interes të Rusisë dhe jo të vetë shtetit të Serbisë”.

“Serbia është një shtet i pavarur sovran dhe ne mirëpresim qëndrimin e qartë të qeverisë serbe në drejtim të kundërshtimit të luftës në Ukrainë. Ne do të vazhdojmë ta inkurajojmë Serbinë që të zbatojë sanksione kundër Rusisë. Mund të mos pajtohemi plotësisht, por mirëpresim dialogun e rregullt me ​​Qeverinë e Serbisë për këto çështje”, theksojnë nga Ambasada. /Ballkani.info/

LEXONI EDHE: