Drenas

Ambasada Amerikane ndau 1 mijë e 500 teste COVID-19, në Drenas

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), në Drenas ka pranuar si donacion 1.500 teste COVID-19, nga ambasada Amerikane në Kosovë.

Sipas një njoftimi për media thuhet se me rastin e pranimit të 1500 testeve, kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci ka falënderuar Ambasadën Amerikane në Kosovë për këtë donacion dhe ka vlerësuar se përmes këtyre testeve do të lehtësojnë menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia.

Siç thuhet në njoftim, Lladrovci ka shtuar se “Bashkëpunimi me Ambasadën Amerikane në Kosovë është në nivelin me të lartë të bashkëpunimit në realizimin e projekteve për të mirën e qytetarëve të Komunës së Drenasit dhe u jam shumë mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme që më bëjnë në qëllimet e mira. Javën e kaluar, Drenasi doli në raportin e performancës në vendin e parë, dhe lajmi për pranimin e këtij donacioni tregon se Komuna jonë vazhdon me përkushtimin me të madh në shërbim të qytetarëve”.

Ndërkaq, drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Drenasit, Arsim Haxhiu dhe Drejtori i Qendrës Kryesore Familjare “Dr.Hafir Shala”, Ismet Bogiqi, kanë pranuar donacion nga Ambasada Amerikane në Kosovës 1500 teste (rapide) për SARS-COV-2, të cilat teste do të shfrytëzohen për qytetarët e Komunës së Drenasit, me qëllimin e menaxhimit të pandemisë COVID-19.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se gjatë kësaj jave, Ambasada Amerikane, do të dërgoj edhe profesionistët të cilët do të trajnojnë stafin e QKMF-së për përdorimin e rapid-testeve për identifikimin e SARS-COV-2.