Ambasada amerikane donacion për Policinë e Kosovës

Sot në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme, Policia e Kosovës ka pranuar një donacion me pajisje nga Ambasada Amerikane në Kosovë, gjegjësisht INL (Byroja Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Zbatim të Ligjit- Ambasada Amerikane në Kosovë) në koordinim me DOJ-ICITAP dhe EXBS. Pranim- dorëzimi  i donacionit u nënshkrua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës z. Samedin Mehmeti si dhe z. Shaën Waddoups Drejtor i INL. 

Ky donacion i pranuar sot me pajisje të avancuara dhe shumë të sofistikuara do të mbështetë Policinë e Kosovës në luftimin e shumë dukurive negative në kohë reale si dhe zbulimin dhe  praninë e substancave të rrezikshme si eksplozivë dhe lëndë narkotike.

Donacionet e tilla janë një mbështetje e çmuar dhe Policia e Kosovës falënderon Ambasadën Amerikane dhe INL për bashkëpunimin si dhe përkrahjen e vazhdueshme dhënë Policisë së Kosovës në fusha të ndryshme policore.