Alush Gashi në cilësinë e Këshilltarit të Hotit i shkruan Greqisë, kërkon njohjen e Kosovës

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, Alush Gashi ka kërkuar nga Greqia që të njeh pavarësinë e Kosovës.

Në një kolumnë të publikuar në mediat greke, Gashi i ka dërguar një mesazh qeverisë greke, ku kërkon që të përmirësohen marrëdhëniet Greqi – Kosovë.

Gashi ka shkruar se njëzet vite pas ndërhyrjes së NATO’s që ishte mbështetur edhe nga Greqia, si dhe ndalja përfundimtare e regjimit të Sllobodan Millosheviqit, është koha që ky shtet ta njeh edhe zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran në kufijtë e saj aktualë.

‘Kjo njohje do të jetë baza e nevojshme për forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe sigurinë e nevojshme për të mirën e Kosovës, Greqisë dhe vendeve fqinje në rajon. Grekët dhe shqiptarët e Kosovës gëzojnë marrëdhënie historikisht të mira. Shumë grekë studiuan dhe qëndruan në Kosovë. Mësuam nga njëri-tjetri, ndamë vlerat tona dhe kulturën tonë të përbashkët, duke kultivuar kështu lidhje të forta miqësie. Gjatë periudhës së tranzicionit, kosovarët ruajtën bashkëpunim të mirë me Greqinë si anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Qeveritë e njëpasnjëshme Greke kanë avokuar për liri dhe demokraci si në Kosovë ashtu edhe në rajonin e gjerë. Kosova u përpoq të përparonte. Serbët në fund të viteve 1980 përdorën forcë për të çmontuar institucionet dhe për të vendosur një regjim të ngurtë apartheid”, ka shkruar Gashi, teksa ka shtuar se gjatë viteve 90-ta, marrëdhëniet e Kosovës me Greqinë ishin konstruktive.

“Zyrtarët grekë mirëpritën Presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova ishte garantuesi i pavarësisë së Kosovës dhe udhëheqësi I padiskutueshëm. Përfaqësues të Greqisë nga niveli i lartë gjithashtu vizituan Kosovën dhe ndanë me ne planet për aranzhime paqësore dhe qeverisje demokratike. Unë isha anëtar i shumë delegacioneve në atë kohë.

Megjithë përkushtimin e presidentit për rezistencë jo të dhunshme, Ushtria Clirimtare e Kosovës iu përgjigj dhunës serbe, duke i lënë grekët të shqetësuar për veprimin e tyre, por duke vazhduar të mbështesin institucionet demokratike. Ata na nxitën të zgjidhim mosmarrëveshjet tona me serbët në mënyrë paqësore, përmes negociatave. Sidoqoftë, Millosheviqi e rriti shtypjen dhe provokoi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Mars 1999. Në këtë pikë kritike, Greqia ndihmoi në prani të forcave ushtarake të KFOR-it dhe Ministri i Jashtëm vendosi një mision diplomatik në Prishtinë. Ai ndihmoi biznesmenët grekë të zhvillojnë ekonominë e Kosovës dhe të përfitojnë nga tregu”, ka shkruar ai.

Ai ka përmendur edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008-të si dhe gjithashtu votën pro të Greqisë për antarësimin e Kosovës në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe organizatatjera financiare ndërkombëtare.

“Shumë vizita u zhvilluan në Kosovë. Bashkëpunimi ndër-parlamentar u zhvillua dhe pasaportat e Republikës së Kosovës u njohën nga Greqia, u pranuan misionet e saj diplomatike. Qytetarët e Kosovës, biznesmenët, studentët, njerëzit e artit gjithashtu u mirëpritën ngrohtësisht në Greqi. Pasi të ketë zgjidhur çështjen me Maqedoninë Veriore, Greqia duhet të përmirësojë marrëdhëniet e saj me Kosovën. Ishte privilegji im të takoja kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, të cilin e vlerësoj thellësisht. Rivendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe njohja e pavarësisë jo vetëm që do të përmirësojnë marrëdhëniet tona bilaterale, por do të luajnë një rol serioz në marrëdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë. Shpresoj se të gjithë liderët politikë në Greqi kanë mençurinë të ecin përpara. Të dy vendet do të përfitojnë nga marrëdhëniet miqësore dhe fqinjësore”, ka shkruar ai.

Gashi kishte qenë Ministër i Shëndetësisë, deputet i Kuvendit dhe bashkëpunëtor e këshilltar i liderit historik të Kosovës, Ibrahim Rugovës.