Ronaldo

Allegri e lë në bankë Ronaldon kundër Atalantës

Juventusi përgatitet këtë mesjavë për një impenjim të vështirë në transfertë, ndaj Atalantës, por në Bergamo, vendasit do të kenë një shqetësim më pak për portën e Etrit Berishës.

Cristiano Ronaldo nuk do të jetë mes kërcënimeve për portierin shqiptar, pasi nuk do të jetë tiullar, një manovër që shpreson t’i kursejë muskuj dhe dëmtime asit portugez të kampionëve të Italisë.

“Cristiano Ronaldo do të jetë në pankinë të mërkurën. Për herë të parë, ndeshjen do ta shohim bashkë. Jam vërtet i lumtur për atë që po jep me fanellën e Juventusit, pasi mendoj se kjo është nisja më e mirë e Ronaldos në nivel golash dhe shifrash. Dua vërtet që të jetë në formë optimale në muajin mars, kur të vijnë sfidat vendimtare në Champions”, tha trajneri Allegri.

Në fokusin e trajnerit të bardhezinjve është suksesi në transfertë, edhe pse diferenca me vendin e dytë është plot 8 pikë, gjë që lejon edhe hapa fals.

“Duhet të jemi mirë nga ana psikologjike, pasi nëse bëjmë të kundërtën, do t’ia dhurojmë ndeshjen Atalantës. Rivalët janë agresivë dhe kanë forcë fizike, por ne nuk do të ndalemi në fushatën për titullin”, tha më tej trajneri i Juventusit.