Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu bashkë me zëvendësin e tij, Hysen Durmishi sot kanë dalë në terren për të parë ecurinë e punimeve në rrugën Prishtinë-Podujevë.

Aliu pasi ka parë asfaltimin e një pjesë të mirë të rrugës në njërin nga segmentet kryesor, në një deklaratë për Ballkani.info është shprehur i kënaqur me dinamikën e punimeve, derisa ka shtuar se njëra trase e kësaj rrugë do të jetë plotësisht e asfaltuar në kohën kur do të rritet fluksi i ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë.

Ai po ashtu ka thënë se është i kënaqur edhe me cilësinë e punimeve nga kompanitë që janë përgjegjesë për ndërtimin e saj.

Aliu ka folur edhe për projekte tjera që Ministria e Infrastrukturës i ka nisur apo që do t’i nisë, siç është vazhdimi i rrugës nga Dollci deri në Zahaq, pastaj përfundimi i rrugës për Mitrovicës, etj.

Në anën tjetër, Arif Fetahaj, menaxher i projektit të Arbotec-ut, kompani kjo që e ka nën përgjegjësi njërin nga lotet kryesor të kësaj rruge, thotë se punimet po shkojnë sipas dinamikës së paraparë dhe se deri më 12 korrik njëri shirit do të jetë i asfaltuar dhe i gatshëm për qarkullimin e veturave.

Rruga Prishtinë-Podujevë pritet të përfundojë në tërësi para fundit të këtij viti. /Ballkani.info/