Sot gjatë ditës është raportuar se ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu po hetohet lidhur me rastin e ambalazhuesve.
Pak minuta më herët ka qenë vet ministri Aliu, që ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se ai nuk ka marrë ende asnjë thirrje zyre, por nëse ndodh kjo është i gatshëm të bashkëpunojë më organet e rendit, shkruan Ballkani.info.
“Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji”, ka thënë ndër të tjera Aliu.
Postimi i plotë i ministrit:
Po qarkullon në disa media një lajm se kanë nisur hetime ndaj meje. Unë njoftim zyrtar nuk kam patur, por dëshiroj të njoftoj opinionin publik dhe vetë prokurorinë se për mua autoriteti më i lartë është ligji, se punoj dhe angazhohem çdo ditë për respektimin e ligjeve dhe zbatimin e tyre, dhe se për çdo çështje, çdo hetim apo çdo dyshim, jam i gatshëm të bashkëpunoj vetëm për drejtësi, sipas ligjit, deri në zbardhjen e plotë të çdo rasti.







