Aliu paralajmëron veprime rreth hidrocentraleve: S’mund t’ua cenojmë qytetarëve bukën e gojës në emër të zhvillimit ekonomik

Ministri i Mjedisit në Qeverinë e Kosovës, Liburn Aliu, me rastin e Ditës së Tokës ka vizituar Komunën e Shtërpcës, prej ku, nga afër ka parë ndërtimet që janë bërë në shtratin e lumit Lepenc me qëllim të furnizimit të hidrocentraleve. Ministri Aliu ka paralajmëruar diskutime me të gjitha palët e interesit, përfshirë kompanitë që kanë ndërtuar hidrocentrale, qytetarët dhe zyrtarët e Ministrisë së Mjedisit, për të parë se cila është situata dhe për të vendosur rregull.

“Sot në ditën e tokës kemi ardhur në Komunën e Shtërpcës. Kemi votuar tri lokacione. Këtë lokacion të fundit e përzgjodhëm sepse kanë protestuar shumë qytetarë kundër këtij hidrocentrali, edhe qytetarë serb edhe shqiptar, të organizuar bashkë, për të bërë përpjekje për ta ndalë, siç e quajnë ata, degradimin e lumit Lepenc, ku uji i lumit do të futet nëpër gypa, për të furnizuar hidrocentralin, për të prodhuar energji”, ka thënë Aliu në një konferencë për media.

Ai ka thënë se kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët që kanë shprehur brenga, dhe thotë se kjo vizitë e tij në Shtërpcë është nxitur pikërisht nga guximi qytetar për të shprehur pakënaqësitë me ndërhyrjet që janë bërë në shtratin e lumit Lepenc.

“Me qytetarët kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm. Ata kanë shprehur shqetësimet mbi presionin që është bërë mbi ta.

Ata kanë pasur guxim, prandaj vizita ime e parë është këtu. Kemi qenë aktiv në realizimin e kësaj vizite dhe I kemi ftuar të na vijnë organizatat dhe qytetarët që kanë shprehur shqetësimin për degradimin, kemi dëgjuar ata, dhe në bazë të vërejtjeve të tyre, kemi vendosur të vijmë në këtë vizitë”, ka shtuar Aliu.

Ministri ka thënë se janë të shqetësuar me gjendjet që kanë gjetur në Shtërpcë, dhe se në javën e ardhshme do të ftojnë përfaqësuesit e kompanive, për t’i njoftuar me brengat e qytetarëve. Gjithashtu Aliu ka thënë se do të flasin edhe me zyrtarët e ministrisë, për të mësuar se si janë lëshuar lejet dhe a ka pasur studime të mirëfillta për gjithë atë çfarë ka ndodhur me shtratin e lumit Lepenc.

“Natyrisht jemi të shqetësuar me gjendjen që kemi gjetur këtu, sidomos me strukturat e betonit në shtratin e lumit. Ministria nuk mund ti mbyll sytë, e as veshët. Javën e ardhshme I ftojmë edhe përfaqësuesit e kompanive, për t’ua shprehur brengat e qytetarëve, dhe brengat tona për atë çfarë pamë në terren.

Do të flasim paraprakisht edhe me zyrtarët e ministrisë, për të parë se cila është gjendja. Si janë lëshuar lejet mjedisore, pëlqimet. A ka ndonjë studim të mirëfilltë, që ka të bëjë me nevojat e qytetarëve për ujë dhe për bujqësi, sepse siç e shohim, qytetarët kanë të mbjellura dhe e kanë shfrytëzuar ujin e lumit Lepenc”, ka shtuar tutje ministri Aliu.

Ai ka paralajmëruar edhe vendime nga Ministria dhe krijime të komisioneve ku do të trajtohen me hollësi të gjitha shqetësimet e qytetarëve. Aliu thotë se duhet mbajtur një barazpeshë, në mes të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së ambientit.

“Të gjitha këto do të shqyrtohen dhe mbase ministria duhet të marrë vendimet, dhe të krijojë komisione, që brengat e qytetarëve dhe gjithë ato lëndë, ti shqyrtojnë në hollësi. Do të përpiqemi që ta bëjmë detyrën tonë. Ta mbajmë një barazpeshë, në mes të zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së ambientit.”, ka shtuar tutje.

I pyetur rreth pretendimeve se nga Ministria e Ambientit do të lëshohet leje për KELKOS-in për të ndërtuar në Lumbardh të Pejës, ministri Aliu ka thënë se me 14 shkurt ka ndodhur ndryshim i madh, që nënkupton vendosje të rendit. Ai thotë se s’mund t’iu cenohet qytetarëve buka e gojës në emër të zhvillimit ekonomik.

“Në zgjedhjet e 14 shkurtit ka ndodhur një ndryshim i madh. Ky rezultat ka ardhur nga hidhërimi i madh i qytetarëve. Pra kemi të bëjmë me një situatë të re. Është e domosdoshme të vendoset rend, si në procedura të lëshimit të lejeve. Ndryshimi nënkupton vendosje të rendit. Ne e kemi parasysh zhvillimin ekonomik, në mënyrë që edhe komponentat mjedisore të plotësohen. Nuk mund t’ua cenojmë qytetarëve bukën e gojës, në emër të zhvillimit ekonomik. Nëse ka degradim, ne këtu do të vendosim rend. Nuk do të ndalemi, derisa të vendosim rend”, ka përfunduar ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.