Partia e dytë më e madhe shqiptare në Maqedoninë Veriore, Aleanca për Shqiptarët, ka vendosur që ta shkarkojë kryetarin Arben Taravari, në mbledhjen e Kuvendit të partisë, të mbajtur këtë të shtunë me 10 shkurt.
Pas tetë ditësh, me 18 shkurt, pritet të formalizohet shkarkimi në Kongresin e Jashtëzakonshëm të partisë, ku edhe pritet të zgjedhet kryetari i ri dhe të jepet vendimi përfundimtar se a do të shkojë Aleanca për Shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme e vetme, apo në koalicion me ndonjë parti a bllok tjetër politik.
Lajmin për iniciativën për shkarkimin e Taravarit pas mbledhjes së Kuvendit e ka thënë lideri dhe themeluesi i partisë, Zijadin Sela.
“Me votë nga ana e Kuvendit, nga prezenca prej 108 anëtarëve të Kuvendit, me 106 pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, u mor iniciativa për shkarkim të kryetarit të partisë”, tregoj Sela para gazetarëve.
“Një vendim tjetër është edhe ai për thirrjen e kongresit, i cili u thirr nga ana e Kuvendit, me datë 18 Kuvendi mori vendim që të thirret Kongresi i jashtëzakonshëm i partisë, ku diskutohet iniciativa dhe merr formë shkarkimi i kryetarit të partisë”, tregoj Sela detajet.
E gjithë kjo situatë vjen kur Taravari kokë në vete dhe pa diskutim paraprak me partinë vendosi të shpallë në llogarinë e tij në Facebook se partia do t’i bashkohet opozitës shqiptare kundër Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ndërkohë që vetë partia Aleanca për Shqiptarët kishte bërë të ditur më parë se në zgjedhje shkon e vetme.
“Kishim debat në kuadër të kuvendit të partisë. Pritem që të vije edhe kryetari i partisë, edhe pasi hymë në sallë pritem që të vinte. Do të donim që të vinte, sepse i takonte vendi që të ishte me anëtarët e Kuvendit me anëtarët e Partisë, në Kuvendin e thirrur sipas të gjitha rregullave që i parasheh statuti i partisë”, tha Sela, duke shpjeguar mungesën e Taravarit dhe detyrimin që të vazhdohet pa të.
“Ne s’mund ta lëmë partinë që të jetë objekt i dëshirave personale, por duhet të marrim përsipër detyrat që kemi të ngarkuara”, tha ai, duke iu referuar “dëshirës” së Taravarit për bashkim me opozitën.
“Pasi propozova rendin e ditës, në mungesë të kryetarit të partisë, pika e raportit të tij para kuvendit u zëvendësua me propozim të kuvendarëve, me diskutim rreth ndodhive të brendshme dhe iniciativa për shkarkimin e kryetarit të partisë, i cili duhet bërë me kongres të partisë”.
Në anën tjetër, Taravari nuk i është përgjigjur thirrjes së Kuvendit dhe e ka refuzuar pjesëmarrjen.
Kjo situatë në Aleancën për Shqiptarët, që në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut ka tetë deputetë, prej kohësh ishte e paqartë, me kryetarin që dëshironte tjetër gjë nga vullneti i partisë së tij.
Tashmë është e paqartë se çfarë pozicioni do të marrë Taravari dhe më e rëndësishmja sa do ta afektojë Aleancën për Shqiptarët në zgjedhje kjo ndarje nga kryetari.







