Albulena Haxhiu ua dyfishon të burgosurve ditët e pushimit vjetor

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka njoftuar se është rritur në 14 ditë pushimi i rregullt vjetor për të burgosurit.

Gjatë raportimit në Komisionin për Legjislacion, Mandate dhe Imunitete, Haxhiu tha se deri më tani të burgosurit kanë pasur të drejtë pushimi vetëm shtatë ditë gjatë vitit.

E tani sipas saj së bashku me pushimin në raste të jashtëzakonshme, të burgosurit kanë të drejtë të pushojnë gjatë vitit deri në 21 ditë.

“Aktualisht të burgosurit kanë vetëm 7 ditë pushim, plus shtatë ditë në rrethana të jashtëzakonshme ku përfshihen rastet vdekjes dhe të tjera si këto. Ne I kemi shtuar edhe shtatë të tjera të rregullta. Pra tani të burgosurit I kanë 14 ditë pushim, plus shtatë të tjera që përdoren në rrethana të jashtëzakonshme që I bie 21 ditë në vit gjithsej”, deklaroi ajo.

Më tutje Haxhiu tha se kjo është bërë bazuar edhe në praktikat e vendeve të rajonit, teksa shtoi se ka pasur kërkesa për më shumë ditë pushim.