Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu ka refuzuar për disa minuta që ta lëshojë foltoren e Kuvendit, pasi kryeparlamentarja Albulena Haxhiu nuk ia zgjati edhe një minutë kohën për të folur.

Teuta Haxhiu foli për sulmet që tha se po ia bënin Daut Haradinajt disa zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje. Mes tyre, është edhe Alban Krasniqi, bashkëshorti i Albulena Haxhiut.

Pasi deputetes i përfundoi koha për fjalën e saj, kryeparlamentarja deshi të vazhdojë me të tjerët.

“Faleminderit. Vazhdojmë me grupin parlamentar të Vetëvendosjes”, tha ajo.

“Kryetare, ke bë lëshime vazhdimisht”, i tha deputetja, duke kërkuar edhe një minutë kohë.

Albulena Haxhiu refuzoi.

“Ju lutem që ta zini vendin”, tha ajo.

“Veç që ta përmenda Albanin a?”, ia ktheu deputetja e Aleancës, ndërsa vazhdoi të qëndronte në foltore.

“Shumë faleminderit që e përmende. Uluni ju lutem”, i tha kryeparlamentarja.

Pasi Tetuta Haxhiu nuk po largohej, kryeparlamentarja i foli prapë me mikrofon ndezur: “Ju lutem që të mos pengoni zhvillimet e kësaj seance. Ju lutem që të zini vendin tuaj deputete Haxhiu. Dil në konferencë për media ose shfrytëzoje një moment tjetër”.

Albulena Haxhiu më pas i kërkoi deputetit të LVV-së që të ulet dhe të flasë nga vendi.

“Sylejman, a mundesh të lutem me shku prej vendit me folë se… Le të rri kjo këtu, le të rrri. S’ka problem. Fol prej vendit se dëgjoheni ju dhe jo zonja në fjalë”.

Në këtë moment, Tetuta Haxhiu e la foltoren e Kuvendit.

“Hajt zonja deputete kadal-dale”, i tha Albulena Haxhiu.