Albulena Haxhiu reagon pas raportimit të RTK-së për prokuroren e shpërblyer

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi Radio Televizioni i Kosovës (RTK), raportoi se ministrja në fjalë e ka shpërblyer prokuroren që ka arrestuar kryetarin e Istogut, Haki Rugovën.

Haxhiu nuk ka hezituar ta kontestojë vërtetësinë e lajmit të RTK’së. Ministrja ka thënë se këtij lajmi të RTK’së nuk mund t’i thotë asgjë tejtër përvec se ‘Fake News’.

“Nuk jam aspak kundër lajmeve e artikujve kritikë, por vërtetë janë bërë shqetësuese artikujt pa asnjë fakt e argument që për bazë kanë vetëm paragjykimin e trillimin. Lajmit të sotëm publikuar në RTK me titull: ‘’MINISTRJA HAXHIU SHPËRBLEN PROKUROREN QË E ARRESTOI HAKI RUGOVËN’’ nuk mund t’i them asgjë tjetër përveç ‘Fake News’”, ka thënë Haxhiu.

Tutje, Haxhiu ka premtuar padi për shpifje ndaj autorës së artikullit dhe mediumit shtetëror.

“Me qëlllim zbardhjen edhe më shumë të kësaj të pavërtete, mbështjen për median e vërtetë dhe raportimin korrekt, unë do të dorëzojë padi për shpifje ndaj autores së artikullit dhe mediumit që e ka publikuar këtë të pavërtetë. Ky ishte opsioni i fundit si përgjigje ndaj këtij artikulli të rremë dhe kësaj mendësie të sulmit të pabazuar”, ka thënë Haxhiu.

RTK gjatë ditës ka raportuar se prokurorja e Valbona Disha Haxhosaj është shpërblyer nga ministrja Haxhiu për shkak se arrestoi një ndër figurat kryesore të LDK’së, Haki Rugovën.

Sipas RTK’së, Haxhiu e shpërbleu prokuroren Disha Haxhosaj me postin e anëtares së provimit të Jurispodencës, përkundër që kjo e fundit përballet me procedurë disiplinore dhe ka shkelje të kodit të etikës.