Ministrja e Drejtësisë

Albulena Haxhiu akuzon rëndë Prokurorinë Speciale: Për kë po punon?

Duke e akuzuar se “po bën të kundërtën e veprimeve që do të duhej”, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të enjten ka publikuar një video duke e pyetur Prokurorinë Speciale “se për çfarë dhe për kënd punon?”

Në një video në faqen e Lëvizjes Vetëvendosje në Facebook, Haxhiu ka folur për objektin e ish-hotelit “Vicianum” në Vushtrri, që ishte rrënuar në fillim të vitit 2021. Prona mbi dy hektarëse, që ishte pronë e Shërbimit Korrektues të Smrekronicës – i ishte dhënë në shfrytëzim një biznesmeni. Ministria e Drejtësisë madje i pati dhënë leje pronarit që pronën t’ia lëshonte me qira Komunës së Vushtrrisë.

Në janarin e këtij viti moteli “Vicianum” në Vushtrri, i ndërtuar rreth katër dekada më herët, është shkatërruar deri në themel nga qiramarrësi. Këtë të drejtë atij ia deleguan ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, dhe drejtori i Shërbimit Korrektues, Nexhat Thaçi, që…

Tani, ministrja Haxhiu duke akuzuar për mospunë Prokurorinë Speciale, ka thënë se Ministria që ajo udhëheq ka bërë kallëzim penal për dhënien në shfrytëzim për 10 vjet të pronës së MD-së te një person fizik. Ajo ka thënë se njëanshëm kanë shkëputur marrëveshjen.

“Në vend të ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Speciale ka nxjerrë aktvendim për hedhjen e kallëzimit penal me arsyetimin se nuk ka shkelje penale pasi s’ka dëme të shkaktuara edhe përkundër faktit se kontrata pjesërisht ishte realizuar sepse tashmë ish-objekti siç njihej ‘Hoteli Vicianum’ ishte rrënuar në mënyrë të kundërligjshme. Për më tepër ka krijuar precedent të rrezikshëm, pasi që sipas tyre rrënimi i objekteve publike nga personat fizik s’është vepër penale. Në vend se të merret me ata që kanë shkelur ligjin, kanë zgjedhur të merren me auditorin e brendshëm. Veprimet tona për ndalje të abuzimeve dhe keqpërdorimeve tashmë janë objekt hetimi nga prokuroria në vend se të ishte e kundërta. Në prokurori e polici kemi bërë edhe shumë denoncime të tjera. Por deri tani fatkeqësisht nuk kemi asnjë lëvizja nga ana e institucioneve. Pra shtrohet pyetja e thjeshtë për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale?” ka thënë Haxhiu në video.

Në disa raste ka pasur përplasje mes qeveritarëve dhe prokurorive e gjykatave. Së fundmi, gjithçka në këtë përplasje u ringjall pas arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmeni nën dyshimin për dallavere me rezerva shtetërore. Pushteti akuzonte Prokurorinë se është selektive në raste dhe nuk po merret me kallëzimet penale ndaj ish-Qeverive, ndërsa Prokuroria akuzonte pushtetin se po cenon punën e saj.