I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti gjatë mbrëmjës së djeshme është takuar me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Siç merret vesh, Kurti mbrëmë është takuar rreth orës 21 e 30 me Dalibor Jevtiqin e Listës Serbe.

Por, burimet kanë thënë se Lista Serbe nuk është bindur për ta votuar Qeverinë Kurti.

“Në takimin e mbrëmshëm Jevtiq ia ka dhënë Kurtit dy emrat e ministrave serb që do të jenë në Qeverinë e Kosovës, por i ka thënë liderit të VV-së se nuk do ta votojnë qeverinë”, thonë burime të Gazetës Blic.

Ndërkohë, pritet që brenda pak minutash të nis seanca e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të votohet qeveria e re, më në krye me Albin Kurtin.

I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti ka folur para mediave para nisjes për në Kuvend të Kosovës, ku për pak pritet që të bëhet votimi i qeverisë së re.

Mirëpo, Kurti ka bërë të ditur se ka kryer përgatitjet për seancë.

“Kemi bërë të gjitha përgatitjet për seancën, me që rast synimi ynë është të zgjedhim qeveri të re, e cila do të punojë mbarë e mirë e sipas programit të harmonizuar, me një ekip shumë të mirë të kabinetit, por mbi të gjitha sot dua t’i falënderoj qytetarët e Kosovës që na mundësuan një ditë të tillë, në të cilën duam që ndryshimin e madh politik që ata e kanë bërë me 6 tetor, ne si përfaqësues ta shndërrojmë edhe në ndryshim qeveritar, pra ta institucionalizojmë ndryshimin e shkaktuar me vullnetin e popullit”, tha Kurti, teksa konfirmoi se do të takohet me deputetët e pakicave.

“Do t’i zhvilloj takimet përfundimtare edhe me disa deputetë do të shkoj njëherë në zyrën e grupit parlamentar të LV-së”, shtoi ai.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje tha se pas 23 vjetësh e ka rastin që t’i shërbejë popullit.