kreu i VV

Albin Kurti: Qytetarët mbetën të izoluar nga pushteti i korruptuar

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, vitin që po e lëmë pas e cilësoi si dështim të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

“Sot, vendi ynë asnjëherë më parë nuk ka qenë me larg BE-së”.

“Qytetarët mbetën të izoluar nga pushteti i korruptuar. Ne kemi rrugëtuar bashkë me partnerët dhe miqtë tanë të Bashkimit Evropian dhe ShBA-ve dhe u bëjmë thirrje që të mos i izolojnë qytetarët por pushtetin e pamerituar dhe të korruptuar”.

Në një konferencë për media Kurti përmendi Marrëveshjen për Stabilizim Asocim si dhe të Agjendën për Reforma Evropiane, që sipas tij Kosova ka shënuar regres të paprecedent në zbatimin e tyre.

Ai gjithashtu vlerësoi se në Kosovë ka probleme të mëdha me sistemin e drejtësisë.

“Kur nuk ka sundim te ligjit padrejtësia mbizotëron. Kështu është situata në Kosovë. Ky koalicion jo që nuk e ka luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por ka shkuar edhe më larg duke kapur institucionet”.

“Ende nuk ka asnjë aktgjykim dënues të formës së prerë për korrupsion tek profilet e larta”.

Kurti tha se vendi aktualisht gjendet në krizë të thellë dhe se ka paralizim të institucioneve e që sipas tij zgjidhja e vetme është shpallja e zgjedhjeve nacionale.

Ndërsa Avni Zogjani nga Vetëvendosje vlerësoi se rënia e Kosovës në arenën ndërkombëtare, mosliberalizimi, dëmtimi i imazhit të Kosovës janë pasoja direkte të korrupsionit.