Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ka dorëzuar padi për shpifje ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas deklaratave që i cilëson si të pavërteta dhe tendencioze ndaj tij.

Përmes një postimi, Lushtaku ka njoftuar se padia është dorëzuar përmes avokatit të tij, duke theksuar se nuk do të lejojë që emri dhe kontributi i tij të përdoren për, siç ka thënë ai, “propagandë politike dhe mashtrime publike”.

“Nuk do të lejoj që emri im, kontributi im dhe dinjiteti im të përdoren për propagandë politike, mashtrime publike e shpifje të ulëta”, ka deklaruar Lushtaku.

Ai e ka cilësuar këtë veprim si një përgjigje të qartë ndaj çdo tentative për linçim politik, ndërsa ka paralajmëruar se secili që, sipas tij, shpif dhe manipulon me të pavërteta, do të përballet me përgjegjësi ligjore.

“Kjo është një përgjigje e qartë për çdo tentativë linçimi politik. Çdokush që shpif e manipulon me të pavërteta, do të përballet me të njëjtin veprim dhe me përgjegjësi para ligjit”, ka shtuar ai.

Reagimi i Lushtakut vjen në një periudhë tensionesh dhe përplasjeve të vazhdueshme politike në vend.