Lideri VV-së

Albin Kurti: Nuk do të rritet luftimi i krimit pse u rriten pagat prokurorëve

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, nëpërmjet rrjetit social Facebook, deklaroi se në vend se të kemi gjykata normale që akuzojnë, gjykojnë dhe dënojnë kriminelët e paqes, na shfaqet gjykata speciale që do të merret me “krimet” e luftës.

Ai shton se sipas Raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” publikuar nga PAX, Holandë: “Keqinformimi rreth Gjykatës Speciale të Kosovës është i përhapur, meqë (për shembull) 35.4% të shqiptarëve dhe 18.9% të serbëve, që e konsiderojnë veten të mirinformuar rreth Gjykatës, gabimisht besojnë se ajo do t’i ndjekë penalisht krimet që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit.”

Ky është postimi i plotë i Kurtit:

Ndodhemi në javën kundër korrupsionit të një viti me përplot korrupsion si asnjë tjetër. Dhe, në vend se të kemi gjykata normale që akuzojnë, gjykojnë e dënojnë kriminelët e paqes, na shfaqet gjykata speciale që do të merret me ‘krimet’ e luftës. Sipas Raportit “Perceptimi publik i Gjykatës Speciale të Kosovës” publikuar nga PAX, Holandë: “Keqinformimi rreth Gjykatës Speciale të Kosovës është i përhapur, meqë (për shembull) 35.4% të shqiptarëve dhe 18.9% të serbëve, që e konsiderojnë veten të mirinformuar rreth Gjykatës, gabimisht besojnë se ajo do t’i ndjekë penalisht krimet që lidhen me korrupsionin dhe kapjen e shtetit.”

Nuk do të rritet luftimi i krimit pse u rriten pagat prokurorëve. Duhet të rritet numri i prokurorëve të specializuar për krimin e organizuar e korrupsionin e lartë dhe përgatitja tyre, të rishikohet legjislacioni dhe të ristrukturohet prokuroria me prurje të reja edhe jashtë trajektores së parashikueshme që mbizotëron tani, si dhe të riorganizohet provimi i jurisprudencës për luftimin e kapjes së shtetit dhe krimit financiar. E kjo nënkupton fillimisht një a dy prokurorë që nuk i frikësohen kryeministrit e presidentit, zullumqarëve e mujsharëve të tjerë, por përkundrazi – ndjellin frikë tek ata!