Albin Kurti në Studime bën thirrje për bashkim: Këtu jam unë dhe Memli Krasniqi

Kryeministri Albin Kurti mori pjesë në akademinë përkujtimore për masakrën në Studime, ku 23 vjet më parë u vranë 116 civilë shqiptarë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Kurti e përmendi edhe kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, që ishte prezent po ashtu.

Duke bërë thirrje për bashkim në momente të tilla, Kurti tha se prandaj aty ishin ai dhe kryetari i PDK-së, si dhe deputetë e asamblistë të të gjitha partive politike.

“Në momente si kjo na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, janë edhe deputetët e asamblistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë”, tha Kurti.

Kurti, sikurse edhe Krasniqi, theksuan mungesën e drejtësisë për viktimat.

“Në anën tjetër, luftëtarë të UÇK-së mbrojtëse, janë arrestuar, burgosur e dënuar dikur nga UNMIK-u, Tribunali i Hagës, EULEX-i e tash po mbahen në burg nga Gjykata Speciale. Por, ja ku ndodhemi, 23 vjet pas luftës, pa asnjë të dënuar për masakrën e Studimes”, tha kryeministri.