Albin Kurti kujton Mujë Krasniqin dhe 41 dëshmorët e rënë në Gorozhup

Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar Mujë Krasniqin në 20 vjetorin e rënies së tij.

Më poshtë shkrimi i plotë:

Sot, më 14 dhjetor, u bënë 20 vjet nga rënia e Komandantit të Brigadës 113 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mujë Krasniqit, dhe 40 bashkëluftëtarëve të tij. Kjo fotografi e tij është pak orë para rënies.

Ata ishin nisur nga Shqipëria për Kosovë, për të furnizuar me armatim ushtarët e tjerë të UÇK-së që luftonin kundër okupimit e terrorit të Serbisë. Komandant Kapuçi, bashkëluftëtar i Komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, me luftëtarët e tij u vranë në pritë në orët e hershme të mëngjesit te Likenet e Hasit, në Gorozhup. Në mesin e 41 dëshmorëve ishte edhe Luljetë Shala, një vajzë 21 vjeçare nga Drenica, që si shumë të rinj nuk kurseu as edhe jetën e saj për lirinë e popullit tonë.

https://www.facebook.com/albini2017/photos/a.229545544212004/515423975624158/?type=3

Është e rrallë që në një luftë të ketë kaq shumë dëshmorë në përpjekjen e tyre për t’u furnizuar me armatim. Aq shumë luftëtarë ranë në kufirin shqiptaro-shqiptar për ta ngritur UÇK-në, për t’i pajisur pjesëtarët e saj me armatim, për ta mundësuar luftën çlirimtare të të gjithëve. Kjo është dëshmi e një lufte të pabarabartë si rrallëherë tjetër, por edhe aq të drejtë si pak të tjera.

Në varrimin e mësuesit, Halil Geci, më 28 nëntor 1997, Komandant Mujë Krasniqi ishte edhe njëri nga tre luftëtarët që për herë të parë bënë paraqitjen publike të UÇK-së, duke mposhtur kështu propagandën për mosekzistencën e UÇK-së.

Rënia e tyre nuk e demobilizoi luftën, përkundrazi nxiti edhe më shumë të rinj t’i bashkohen, deri në thyerjen e kufirit e në çlirimin e vendit. Dëshmorët jetojnë gjithmonë, ata janë dëshmia e të drejtës tonë për shtet e për ushtri, për sovranitet e për bashkim.