Albin Kurti konfirmon përplasjet me Isa Mustafën për pozitën e Presidentit

Posti i Presidentit të Kosovës nuk po shihet si temë urgjente për diskutim nga Albin Kurti, Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Megjithëse është bërë pikë problematike në diskutimet në mes LDK-së dhe LVV-së, Kurti tha se kjo temë do të duhej të diskutohej pas formimit të qeverisë.

“Është një President fantom në tentativë që nuk po e dimë kush është. Presidenti është personalitet. Unë nuk mund të them që kam emra edhe për karrige të zbrazëta që po na presin e lëre më për një karrige që është e nxënë”, tha ai.

Në një intervistë në emisionin “Jeta në Kosovë”, Kurti diskutoi në detaje pse është bërë problematike kjo pozitë.

“Nuk është çështje urgjente kjo, çështje urgjente është qeveria. Unë nuk po e mohoj që të hapet edhe ajo temë por nuk mund ta nxjerrim çerren para kalit”, tha ai.

Kryetari i VV’së, Albin Kurti, ka thënë se po i kërkohet nga LDK’ja që të mbështesë kërkesën e tyre për postin e presidentit pa e ditur se kush do të jetë ai.

“Po më kërkohet një pëlqim blanko. Më kanë kërkuar postin por nuk më kanë treguar kush është ai”, ka thënë Kurti.

“Asnjë nga tre anëtarë e kryesisë së LDK’së nuk e kanë pranuar se duan të bëhen president”, ka shtuar ai në RTK.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, partia e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti tash disa javë janë në bisedime për harmonizim të programit.

Megjithëse ka pasur takime në mes liderëve deri më tani nuk është arritur marrëveshje për koalicion.