Albin Kurti ka vazhduar tubimet me qytetarë nëpër qytete të ndryshme të Kosovës, duke i ftuar qytetarët që të bashkohen në protestën e të premtes, e cila do të mbahet para zyrës së lepurushit Aleksandër Lumezi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë ditë së sotme ka qëndruar në Klinë, në kuadër të tubimeve që po i bënë me qytetarët e Kosovës.
Lideri i VV’së nga Klina ka hedhur kritika të ashpra për qeverinë aktuale. Por, ai këtë herë ka folur edhe kryetarin e PDK’së, Kadri Veseli.
Kurti ka thënë se këshilltari i Veselit, ish-ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci, është duke përfituar grante nga shteti.
“Këta vjedhin edhe te subvencionet e fermerëve, siç e dimë. Vjedhin me letra e pa to. Hartojnë gjoja “masa të posaçme” sa për ta krijuar një vegëz që paratë të dalin nga buxheti i shtetit e të kenë mundësi të sajojnë lista me njerëzit e tyre të afërt. Vetëm për këtë masën e veçantë, praktikisht u vodhën 3 milionë euro nga buxheti. Ky buxhet ishte buxhet i bujqësisë dedikuar fermerëve tanë. Këto 3 milionë euro i morën tre përfitues. Tre emra aksionarësh rezultojnë të jenë përfitues në dy grante. E midis tyre Këshilltari i Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci, e krahas tij dhe kompania Otvic, e mikut të Kryeministrit dhe shefit të Rikallos, famëkeqit Radojçiq”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se qindra lajmërime e kallzime janë bërë nga fermerët e ndershëm për raste të ngjashme.
“Edhe në polici edhe në prokurori. Për sera e për gjoja fermerë që e zhvatin buxhetin e bujqësisë. E këta e kanë aty një Kapllan e një Ekrem, që ua kryen punët e pista. Vetëm gjatë vitit 2018, 60 veturat e Ministrisë së Bujqësisë drejtuar nga Rikallo i kishin bërë 1.5 milionë km udhëtim. Me kilometrat e kaluara gjatë vitit 2018, veturat e Ministrisë së Bujqësisë do të mundë t’i silleshin planetit Tokë 37 herë. Por as për 1/3 e atyre shpenzimeve, nuk kanë pasur mbulesë më fatura. E qysh mund të ketë mbulesë me fatura për një shumë aq të madhe. Merreni me mend sikur ky karburant t’i shkonte për punim të tokës fermerëve tanë!”.







