Albin Kurti ishte kundër Marrëveshjes së Rambujesë, e cila çoi në çlirimin e Kosovës

Para 24 viteve, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë. 

Marrëveshja që u nënshkrua në Rambuje, i parapriu bombardimeve të NATO’s mbi ish-Jugosllavinë e të cilat çuan në çlirimin e Kosovës.

Por kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, vetëm katër ditë para nisjes së kësaj konference, kishte dhënë dorëheqje nga zyra e Adem Demaçit, aso kohe përfaqësues politik i UÇK-së.

Albin Kurti e kishte dhënë lajmin për ndarjen e rrugëve për shkak të zhvillimeve në Rambuje, shkruan Demokracia.com.

Ai herë ishte përshkruar si asistent i Demaçit, herë si përkthyes në kuadër të zyrës së tij për analiza, propozime dhe këshilla politike.

Zyra e Demaçit ishte tërhequr nga misioni i saj i parë, siç thuhet në deklaratë, për të mos shkaktuar fërkime brenda UÇK-së, e cila ishte pjesë e delegacionit kosovar në Rambuje.

Duket se Albin Kurti nuk kishte qenë në gjendje t’i ndihmonte me analizë të saktë Adem Demaçit as për Rambujenë, ngase prej asaj marrëveshje erdhi deri te bombardimi i NATO-s ndaj Serbisë, që kulmoi me çlirimin përfundimtar të Kosovës në qershor 1999, shkruan Demokracia.com.

Kjo zyrë, që udhëhiqej nga Demaçi, sigurisht e ndikuar nga analizat joadekuate në raport me situatën, asokohe akuzonte përfaqësuesit e delegacionit kosovar në Rambuje se kishin braktisur parimet e UÇK-së.

Madje duket se analizat e gabuara të Kurtit dhe Vllasit e kishin nxitur Demaçin edhe të dilte kundër Marrëveshjes së Rambujesë, duke qenë fort i bindur se ajo nuk do ta sillte lirinë.

Në dokumentin e publikuar vitin e kaluar në media thuhej se me daljen në shesh të individëve nga radhët e UÇK-së, të cilët po përgatisnin Marrëveshjen e Rambujesë, “punët ndryshuan”.

“Zyra e Udhëheqësit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës z. Adem Demaçi, ka kryer me nder, përpikëri dhe ndërgjegje të lartë punën, aktivitetin dhe detyrat e veta. Ajo me konsekuencë është bazuar dhe ka ndjekur konceptet, parimet dhe bindjet e veta, të cilat janë materializim i vullnetit politik të popullit të Kosovës të shprehur në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Zyra jonë dhe UÇK-ja kishin parime, ideale dhe koncepte të njëjta. Mirëpo, me daljen në shesh të disa individëve nga radhët e UÇK-së, që po përgatiten të miratojnë marrëveshjen e Rambujesë, punët ndryshuan. Ky numër individësh, në këtë mënyrë, braktisën parimet themelore të UÇK-së dhe obligimin ndaj vullnetit politik të popullit, të shprehur në Referendumin e 1991-tës”, thuhet në këtë deklaratë.

Zyra e Demaçit, ku bënte pjesë si staf edhe Kurti, thoshte se nuk mund ta kapërdijë këtë marrëveshje.

“Ne nuk mund ta kapërdijmë këtë marrëveshje, sepse ajo është në kundërshtim me bindjet tona dhe me idenë tonë për jetën e lirë në trojet tona mijëvjeçare”, thuhej në fund.

Ndryshe, iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Christopher Hill nga SHBA-ja, Boris Maiorsky nga Rusia dhe Wolfgang Petritsch nga BE-ja.

Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.

Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projekt-marrëveshjen politike, marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-së, Richard Holbrooke nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bindë presidentin e atëhershëm të RSFJ, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.

Më 24 mars 1999, NATO filloi bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare.

Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovës, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak. Ndërkaq, më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.