Albin Kurti ia jep ‘letrën’ Sveçlës, e bën zëvendës të Agim Veliut

Kryeministri Albin Kurti e ka emëruar Xhelal Sveçlën zëvendësministër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, të cilën e udhëheq Agim Veliu.

Xhelal Sveçla është zëvendësministri i parë i emëruar në Qeverinë Kurti.

“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti sot e ka emëruar Xhelal Sveçlën zëvendësministër të parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, ku njëherit i uroi punë të mbarë dhe suksese të vazhdueshme”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Pas emërimit të zëvendësit të Agim Veliut, ZKM shkruan se “për Qeverinë Kurti është jetike që rendi, ligji dhe siguria në vend, por edhe rregulli e efikasiteti nëpër institucione të rriten e të përmirësohen”.

Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK janë marrë vesh që të emërojnë 35 zv.ministra në 15 ministritë.

Sveçla është anëtar i kryesisë së LVV’së dhe një nga njerëzit më të afërt të Kurtit.