Albin Kurti e respekton si Prof “Kalin e PDK-së” dhe “Enver Sahanin” e dikurshëm

Dikur e quante “Kali i PDK-së” e “Enver Sahani” teksa sot në reagimin e tij të parë si kryeministër në largim, Albin Kurti ka përdorur pikërisht një deklaratë të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit për të treguar se mosbesimi ndaj qeverisë së tij ishte koniuktural, shkruan Insajderi.

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin kishte mbajtur edhe protesta simbolike ndaj Enver Hasanit, në atë kohë kryetar i Gjykatës Kushtetuese, me pankarta me mbishkrime si “Enver Hasani –kali i PDK-së”, duke e akuzuar atë për bashkëpunim me Hashim Thaçin e PDK-në.

Në një rast tjetër në vitin 2014, Albin Kurti kishte nxitur të qeshura në njërin prej tubimeve të partisë së tij, në Prishtinë, kur kinse ngatërroi mbiemrin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasanit.

Enver sahani, asi Enver Hasani”, pati thënë Kurti para anëtarëve të Vetëvendosjes.

Teksa sot në reagimin e tij Kurti e ka respektuar duke e quajtur profesor, Enver Hasani e jo “Kali i PDK-së” apo “Enver Sahani”, siç e quante në të kaluarën.

“Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë”, ka shkruar Kurti në reagimin e tij.

Reagimi i plotë i Kurtit:

Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh.

Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.
Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë.
Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.

Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.
Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar.
Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.