Kreu i LVV, Albin Kurti ka kujtuar sot 100 vjetorin prej që gratë në Amerikë fituan të drejtën e votës.

Ai përmes një postimi në facebook ka bërë një përmbledhje të fakteve se me çfarë ishin përballur gratë e asaj kohe. /Ballkani.info/

Ky është shkrimi i tij i plotë:

Sot u bënë 100 vjet prej kur gratë në Amerikë fituan të drejtën e votës. Nga themelimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pothuajse në mënyrë universale gratë ishin të përjashtuara nga votimi dhe zërat e tyre zakonisht shtypeshin në sferën politike e publike. Edhe në vendet e ndryshme ku gratë mund të votonin në disa lloje të zgjedhjeve lokale, ato filluan ta humbin këtë të drejtë në fund të shekullit XVIII.

Pas disa përpjekjeve të dështuara për ndryshimin kushtetues që do të përcaktonte të drejtën e grave për të gjitha zgjedhjet, në vitin 1919, ky propozim kaloi në të dy dhomat me shumicën e nevojshme të dy të tretave. Edhe pse fati i ndryshimit u lëkund, për shkak të kundërshtimit në pjesën më të madhe të Jugut, më 18 gusht 1920, Tennessee – me një votë dallim – u bë shteti i 36-të që ratifikoi amendamentin, duke siguruar kështu miratimin e tij.

Sot, megjithkëtë, duhet kujtuar që me Amandamentin 19 i cili u bë ligj më 1920, ndonëse 26 milionë gra amerikane kishin nominalisht të drejtë vote, barazia e plotë elektorale ishte ende dekada larg për shumë gra me ngjyrë që llogariteshin në atë numër. Ndryshimi federal i votimit ndaloi diskriminimin në bazë të gjinisë, por ai nuk adresoi llojet e tjera të diskriminimit me të cilat u përballën shumë gra amerikane. Amerikanet indigjene, amerikano-aziatiket, Latinet dhe afrikano-amerikanet duhej të luftonin për dhënien e të drejtës së votës shumë kohë pasi u ratifikua amandamenti i 19-të.

Vetëm përmes betejave të shumta përgjat? viteve të njëpasnjëshme secili prej këtyre grupeve fitoi mundësinë e votimit.

Duke i njohur e kujtuar lëvizjet e grave, përpjekjet e sakrificat e mëdha të tyre, padyshim që viti 1920 mbetet moment historik, jo vetëm për atë që njihet si vala e parë e feminizmit, por për secilën etapë tjetër që vie më pas.