Albatrit Matoshi bashkë me Uran Ismailin zotohen se do ta ndryshojnë Hajvalinë

Njëri ndër kandidatët më serioz për asamble komunale të Prishtinës nga PDK është Albatrit Matoshi. Ai bashkë me kandidatin për kryetar të Prishtinës, Uran Ismailin kanë qëndruar në lagjen Hajvali, prej nga vjen edhe Albatriti dhe bashkërisht janë zotuar se deri në nëntor të vitit 2024 do ti ndreqin shumë probleme me të cilat ballafaqohen çdo ditë banorët e kësaj lagjeje.

“Uran Ismaili ishte sot mysafir i yni në Hajvali. E si asnjë tjetër më parë, ai erdhi me zotime për lagjen tonë të cilat i nënshkroi para të gjithëve. Punë konkrete që së bashku do t’i kryejmë brenda dy viteve. Nuk do të heshtim asnjëherë më për Hajvalinë. Ka ardhë koha që të kërkojmë respekt, vëmendje dhe investime. Hajvalia na bashkon!”, ka shkruar Matoshi në profilin e tij në Facebook. Ai në listën e PDK-së për asamble ka numrin 22.

Zotimet e Ismailit dhe Matoshit:

Krijim i një nënstacioni policor
Ndërtim i Qendrës Kulturore Komunitare
Ndriçim efiçient i të gjitha rrugëve
Marrëveshje me Federatën e Futbollit për t’u lejuar ndeshjet e ekipeve të Hajvalisë në stadiumet e Hajvalisë
Largim i problemit të qenve endacak
Ndërtim i së paku dy çerdheve publike në Hajvali
Realizim i një parku me hapësira rekreative e sportive
Shirita gjelbërues nëpër rrugët kryesore
Shtim i pikave grumbulluese të mbeturinave dhe shportave të rrugës
Shtim i sigurisë për nxënësit nëpër vendkalime pranë shkollës
Zgjerim dhe rregullimi i trotuareve në lagje
Legalizim i pronave dhe zhbllokim i kapitalit të qytetarëve
Zgjerim dhe rregullim i dy rrugëve alternative nga Hajvalia në Prishtinë
Vendosje e stacionit të autobusëve
Shtim i trotuareve dhe shtigjeve për çiklistë në rrugën që lidhë Hajvalinë me Prishtinës.

Matoshi thotë se katër vitet e ardhshme në Asamblenë Komunale do të jenë një përkushtim i përditshëm për Hajvalinë.

“Do të kërkojmë respekt, vëmendje e investime. Nuk do të ankohemi, por do të bëhemi bashkë për secilën sfidë e secilën punë, që të flasim si një e të jemi të painjorueshëm. Është koha për Hajvalinë”, ka thënë ai.

Hajvalia ka natyrë të bukur, shtigje të mira për vrapim, ecje e rekreacion, por ka nevojë për më shumë intervenime që ajo të jetë e shfrytëzueshme nga të gjithë banorët.

“Hajvalia duhet të ketë edhe parkun e saj për fëmijët e të moshuarit tanë, për çka, vendi nuk i mungon. Më pak ndërtime, më shumë gjelbërim e rekreacion, për më shumë shëndet e jetë cilësore”, ka shtuar Matoshi.

Biografi e shkurtër:
Albatrit Matoshi ka qenë futbollist i Hajvalisë dhe 2 Korrikut për shumë vite. Për tetë vjet punoi si gazetar në një prej mediumeve më të vjetra në Kosovë, në gazetën “Zëri”. Në vitet 2017-2020, ai u angazhua si këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismailit. Albatriti është i martuar dhe ka një vajzë.