“Albanians for Trump” u drejtohet shqiptarëve: Trump do ta përmbushë projektin e tij për njohje reciproke Kosovë – Serbi

Organizata “Albanians for Trump” (“Shqiptarët për Trumpin”) kanë publikuar një letër të hapur drejtuar komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, përmes së cilës kanë bërë thirrje që presidenti i tanishëm amerikan të votohet për një mandat të dytë.

Ndër të tjera, kjo organizatë e ka përmendur edhe çështjen e Kosovës si arsye për ta përkrahur kreun e tanishëm të Shtëpisë së Bardhë. Në këtë letër thuhet se Kosova dhe Serbia, nën mbikëqyrjen e presidentit Trump, së fundi kanë arritur një marrëveshje të madhe të paqes për zhvillimin e tyre ekonomik.

Aty gjithashtu thuhet se presidenti Trump e ka nisur dhe do ta përmbushë projektin e tij për paqe të përhershme dhe njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Illyriapress.

Në këtë letër, rivali i Trumpit dhe kandidati demokrat për president të ShBA-së, Joe Biden, akuzohet se nuk ka bërë asgjë gjatë kohës sa kishte shërbyer si nënpresident në mandatin e Barack Obamas.

“Vetëm disa javë para zgjedhjeve presidenciale, kandidati Biden propozoi një propozim të paqartë me shkrim për marrëdhëniet Kosovë – Serbi, por në tetë vjet, kur Bideni shërbente si nënpresident, nuk bëri asgjë pos që e la Kosovën të pambikëqyrur dhe tërësisht të harruar”, thuhet në këtë letër.

Për më tepër, Bideni në këtë letër akuzohet se i ka kërkuar falje Serbisë për bombardimet e NATO-s dhe i ka rivendosur raportet me Serbinë.