Kandidatja për deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albana Bytyqi, me numër 6 në listën zgjedhore, ka ngritur shqetësimin për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke theksuar se qytetarët nuk duhet të përballen me mungesë të barnave esenciale dhe vështirësi në marrjen e shërbimeve shëndetësore.
Përmes një postimi, Bytyqi ka vlerësuar se është e papranueshme që pacientët të mbeten pa terapitë e nevojshme në momentet kur kanë më së shumti nevojë për trajtim dhe kujdes mjekësor.
“Shëndetësia nuk duhet të jetë shqetësim shtesë për qytetarët. Është e papranueshme që pacientët të përballen me mungesën e barnave esenciale, pikërisht atëherë kur kanë më së shumti nevojë për to. Çdo qytetar meriton trajtim dinjitoz, kujdes cilësor dhe qasje të garantuar në terapinë e nevojshme”, ka deklaruar ajo.
Bytyqi ka theksuar se do të angazhohet që zëri i pacientëve dhe i profesionistëve shëndetësorë të dëgjohet më fuqishëm në institucionet vendimmarrëse, duke e konsideruar shëndetin si një të drejtë themelore të çdo qytetari.
Sipas saj, përmirësimi i sistemit shëndetësor dhe garantimi i furnizimit të rregullt me barna esenciale duhet të jenë prioritete të institucioneve, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në shërbime cilësore dhe të dinjitetshme.
“Kujdesi për qytetarët fillon me kujdesin për shëndetin e tyre”, ka theksuar Bytyqi.







