Alarmuese: Të infektuarit me COVID-19 lëvizin lirshëm, 2 femra të prekura me virus shkaktojnë aksident trafiku

Të infektuarit me COVID-19 në Kosovë nuk respektojnë fare masat e vetëizolimit. Vetëm gjatë ditës së djeshme, sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës, në rrugët e Kosovës janë ndaluar tre persona të cilët kanë deklaruar se janë të infektuar me virusin e rrezikshëm. Madje dy prej të ndaluarve kanë shkaktuar edhe aksident trafiku.

Rreth orës 8 e 40 të mëngjesit, në Prishtinë është ndaluar një mashkull i cili nuk e ka respektuar masën e vetëizolimit. Në konsultim me prokurorin ndaj të dyshuarit është hapur rast dhe i njëjti ka shkuar me procedur të rregullt.

“Prishtinë 11.06.2020 – 08:40. I dyshuari mashkull kosovar nuk kishte respektuar vendimin për vetëizolim. Në lidhje me rastin, në konsultim me prokurorin ndaj të dyshuarit iniciohet rasti dhe i njëjti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në të njëjtën ditë, Policia e Kosovës gjithashtu derisa ka dalë në vendngjarje në një aksident trafiku ka hasur në dy femra të cilat kanë pohuar se janë të infektuara me virusin COVID-19. Gjithashtu edhe ndaj këtyre dyjave është iniciuar rast dhe është hapur procedurë e rregullt.

“Prishtinë 11.06.2020 – 13:50. Një njësi policore në vendngjarje lidhur me një aksident trafiku, kishte hasur në dy të dyshuara femra kosovare, të cilat kishin deklaruar se ishin të infektuara me Covid-19. Ndaj të dyshuarave është inicuar rast në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim për rastin e dy femrave që kanë shkaktuar aksident.