Alarmuese: Emergjenca mbushet me të lënduar nga rrëshqitjet në borë

Reshjet e borës të cilat kanë filluar që nga dita e enjte, kanë nisur të bëhen shqetësim për qytetarët.

Gjendja më alarmante ka qenë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Mjeku Specialist i Emergjencës, Naser Syla, në një prononcim për Ballkani.info ka thënë se që nga orët e pasdites së djeshme e deri tani janë paraqitur 32 raste.

“Që nga orët e pasdites së djeshme, si pasojë e rrëshqitjes kanë pësuar 32 qytetarë të cilët kanë kërkuar ndihmë në repartin e Emergjencës në QKUK. Disa nga pacientët janë ende në trajtim, pasi që kanë marrë lëndime trupore të ndryshme”, ka thënë Syla për Ballkani.info.

Mos pastrimi i rrugëve dhe trotuareve, po vështirëson qarkullimin e qytetarëve e në të njejtën kohë edhe po i rrezikon këmbësorët nga rrëshqitja.

Policia e Kosovës gjithashtu ka bërë thirrje ditën e djeshme për të shtuar kujdesin në qarkullim sidomos tek drejtuesit e automjeteve. /Ballkani.info