“Hetimi amerikan për ndërhyrjen e supozuar ruse, gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, mund të rrezikohet seriozisht pas largimit të Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions”, thonë demokratët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Nancy Pelosi, udhëheqëse e shumicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve, e ka quajtur vendimin një “përpjekje të hapur” për t’i dhënë fund hetimit ose për ta penguar atë”.
Hetimin në fjalë, pasardhësi i Sessions, Matthew Whitaker, e ka kritikuar thotë ajo, ndaj është e qartë se çfarë qëndrimi do të synojë të mbajë ai.
Demokratët, që fituan shumicën e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit, zotohen t’i dalin në krah nismës së udhëhequr nga prokurori i posaçëm, Robert Mueller.
Trump nuk e ka pranuar asnjëherë një bashkëpunim me Rusinë dhe në mënyrë të përsëritur ka kërkuar që hetimi të mbyllet, duke e cilësuar si “gjuetinë më të madhe politike të shtrigave në histori”.
Sessions ka dhënë dorëheqje një ditë më parë, por kjo lëvizje nuk ishte e papritur, sepse Prokurori i Përgjithshëm ka qenë nën presionin e shefit të Shtëpisë së Bardhë për t’u larguar, që kur zgjodhi të tërhiqej pikërisht nga hetimi i fokusuar te ndërhyrja e shumëpërfolur e Moskës në presidencialet e vitit 2016.
Verifikimet e Muellerit kanë nxjerrë në pah deri tani shkelje nga disa prej bashkëpunëtorëve të afërt të presidentit.







