Alarmohet për rritje të konsumit të energjisë, KEDS-i apelon për kursim

Me rënien e temperaturave në vend, është regjistruar rritje prej 12 për qind e konsumit të energjisë elektrike në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka njoftuar KEDS-i të enjten, duke apeluar që qytetarët të mos shfrytëzojnë energjinë për ngrohje.

Në një reagim të enjten, KEDS-i ka thënë se “kjo rritje rekord e konsumit të energjisë elektrike do të mund të vështirësojë funksionimin e sistemit elektroenergjetik të vendit”.

KEDS-i ka apeluar që të gjenden alternativa tjera për ngrohje.

“Në të njëjtën kohë, qytetarëve u bëjmë thirrje të kursejnë rrymën sa më shumë që të jetë e mundur, në mënyrë që të kemi një dimër sa më të lehtë”, thuhet në njoftim të KEDS-it.

Pas shtrenjtimit enorm të rrymës në bursa ndërkombëtare, KEDS-i ka thënë se blerja me çmimet aktuale është shumë e vështirë dhe e papërballueshme për ekonominë vendore.

Ndër këshillat e KEDS-it ka qenë që të evitohet ngrohja me rrymë, të mos ndizen dritat pa nevojë, të përdoren makinat për larje pas orës 23:00 në verë e 22:00 në dimër dhe të lëshohet bojleri sipas nevojës.

“Apel për kursim sa më të madh të energjisë elektrike po bën bota mbarë, meqë të gjithë do të përballemi shpejt me një krizë të tillë, të paparë ndonjëherë. Vendet që kanë praktikuar efiçiencën e energjisë përgjatë viteve të fundit, tashmë kanë kosto më të ulëta për konsumatorë, por edhe furnizim stabil. Megjithatë, apeli për të vepruar shpejt në efiçiencën e energjisë kurrë nuk ka qenë më i duhur sesa sot. Ky apel është qëllim, e qëllimi duhet të përkthehet në praktikë. Të kursejmë bashkë, sepse vetëm kështu sistemi ynë elektroenergjetik nuk vihet në vështirësi serioze funksionimi. Shprehi të vogla, por me ndikim të madh! Vetëm duke kursyer mund t’ia dalim bashkë mbanë!” thuhet në njoftim.

Problemet me energjinë janë paralajmëruar tash e sa kohë, sidomos për dimër kur Kosova nuk i përmbush nevojat e veta me furnizim dhe detyrohet për import. Është paralajmëruar edhe shtrenjtim i çmimit, ndërsa institucionet s’kanë përjashtuar edhe reduktimet.