Alarmohet Ministria e Drejtësisë, përmes Avokatit Shtetëror kërkon moskthimin në punë të ‘babës së tenderëve’

Vendimi i djeshëm i sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi për ta kthyer në punë Nexhat Krasniqin, i njohur si “baba i tenderëve”, tashmë ka ngjallur reagimet e para.

Ballkani.info dje ka raportuar ekskluzivisht për vendimin e sekretarit Bytyqi që Krasniqi të kthehet në Departamentin e Prokurimit në MI, personi që është i dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe të cilit më vendim të Gjykatës Supreme i ishte konfirmuar largimi nga kjo pozitë.

Megjithatë, duket se lidhjet e Krasniqit me politikën, tash me LDK-në, kanë ndikuar që ai përmes Bytyqit, i njohuri si njeriu i Isa Mustafës, të rikthehet në Ministrinë e Infrastrukturës.

E çështja e Nexhat Krasniqit e ka shqetësuar edhe Ministrinë e Drejtësisë.

Burime të Ballkani.info bëjnë të ditur se Ministria e Drejtësisë ka kërkuar veprim të menjëhershëm për këtë rast dhe ndërmarrjen e shpejt të masave, pasi që bëhet fjalë për personin e dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm, si dhe vendimin e Gjykatës Supreme që konfirmon humbjen e vendit të punës.

Me të marrë këtë shqetësim, Ministria e Drejtësisë përmes Avokatit Shtetëror i është drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë duke kërkuar që të merret masa e përkohshme e sigurisë për Nexhat Krasniqin.

Të kujtojmë se Nexhat Krasniqi ishte larguar nga pozita e shefit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës me vendim të ish sekretarit dhe me aktgjykim të Gjykatës Supreme.

Prandaj, vendimi i djeshëm është shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Supreme dhe vendimeve tjera.

Ballkani.info kishte raportuar ekskluzivisht për vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të datës 4 dhjetor 2020 të këtij përmes së cilit aprovohet si e bazuar ankesa A.nr.77/2019. E datës 7 shkurt të vitit 2019 e parashtruar nga Nexhat Krasniqi.

Me këtë vendim është anuluar vendimi 888 i datës 29 janar të vitit 2019 i Komisionit për Zgjidhjen e Kontesteve dhe të ankesave i Ministrisë së Infrastrukturës, si dhe vendimi i U.D. Sekretarit të Përgjitshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, dhe mbetet në fuqi vendimi i datës 2 mars 2018 numër 1925.

Mirëpo, vendimi i KPMSHC-së është në kundërshtim me aktvendimin e Gjykatë Supreme, ku Nexhat Krasniqi e kishte humbur betejën me sekretarin e përgjithshëm që ishte ushtrues detyre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Me vendimin e Gjykatës Supreme në fund të muajit nëntor të vitit 2019, Nexhat Krasniqi ishte larguar përfundimisht nga pozita e tij të udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës.

Në vendimin ndaj tij, Nexhat Krasniqit i bëhej e qartë që është larguar përfundimisht nga posti i udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit, për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ballkani.info ka kërkuar sqarime nga Gjykata Supreme pas vendimit të KPMSHCK-së për kthimin në punë të Krasniqit.

Në përgjigjet dërguar sot (e premte) në adresë të portalit tona, Gjykata Supreme bën të ditur se kjo Gjykatë nuk është në në dijeni të Vendimit të KPMSHC për kthimin në punë të N.K., pasi që kjo Gjykatë me Aktvendimin CML.nr.12/2019 datë 18.11.2019 duke vendosur lidhur me Kërkesën e Prokurorit të Shtetit për Mbrojtje të Ligjshmërisë KMLC.nr.138/2019 datë 22.8.2019 ka lënë jashtë fuqie aktvendimin e KPMSHC në Kosovë nr.6897 datë 16.11.2018 mbi pezullimin e zbatimit të vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 për ndërprerjen e marrëdhënies së punës N.K.

“Kjo, pasi që njëzet e pesë ditë pas nxjerrjes së këtij vendimi/aktvendimi të KPMSHCK,  nr.6897 datë 16.11.2018, KPMSHC kishte nxjerrë aktvendimin përfundimtar lidhur me ankesën e N.K., me të cilin vendim hedhet poshtë si e pa lejuar ankesa e parashtruesit N.K., me arsyetim se i njëjti fillimisht nuk i ka shterrur burimet e brendshme të ankimimit duke paraqitur ankesë në Komisionin për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e lartëpërmendur. Pas nxjerrjes së këtij vendimi të dytë të KPMSHC në Kosovë, N.K., kundër vendimit të lartëpërmendur për ndërprerjen e marrëdhënies së punës  nr. protokollit 10641 datë 12.11.2018 ka paraqitur ankesë në Komisionin e lartëpërmendur për zgjidhjen e kontesteve dhe ankesave në Ministrinë e Infrastruktures, i cili Komision me vendimin nr.01-888 datë 29.01.20219 refuzon si të pabazuar një ankesë të tillë të N.K., dhe lë në fuqi vendimin për ndërprerje të marrëdhënies së punës.  Më tutje, me ecurinë e procedurës në këtë çështje juridike, Gjykata Supreme nuk ka njohuri”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Në pyetjen se a mundet KPMSHC-ja të merr vendim për kthimin në punë të personit të cilit me aktvendim të Gjykatës Supreme i është konfirmuar shkelja dhe është vërtetuar vendimi i Komisionit Disiplinor të Ministrisë së Infrastrukturës, në situatën e përshkruar në përgjigje të pyetjes së parë, Gjykata Supreme në përgjigjet dërguar sot Ballkani.info thotë kështu: “Nuk ka mundësi që KPMSHC në Kosovë të merr vendim tjetër për kthim të N.K. në punë”.