Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkuar një hap përpara në presionin ndaj Qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe.

Express përmes burimeve të saj amerikane, ka mësuar se Ambasadori i SHBA’së, Philip Kosnett, i ka thënë Kryeministrit Kurti se vendi i tij po shqyrton edhe mundësinë e heqjes së trupave të saj nga Kosova – nëse nuk hiqet taksa ndaj Serbisë. Ky është kërcënimi më serioz i SHBA’së ndaj Kosovës.

Muaj më parë ishte spekuluar shumë se amerikanët po shqyrtojnë heqjen e kampit Bondsteel nga Kosova – nëse lidershipi politik i saj vazhdon të mos-bindet ndaj sugjerimeve ndërkombëtare për heqjen e taksës. Por, ky informacion nuk ishte konfirmuar asnjëherë.

Sido që të jetë, ky opsion duket se po shqyrtohet seriozisht.

Burime amerikane kanë thënë në kushte anonimiteti se Philip Kosnett, në takimin e fundit, i ka thënë Albin Kurtit se duhet ta heq taksën menjëherë, ndryshe SHBA do të veprojë.

“Ambasada amerikane në Prishtinë i ka thënë Kurtit se prezenca e forcave amerikane në Kosovë është duke u shqyrtuar tashmë”, ka treguar burimi

Ky njëherësh është kërcënimi më i madh që SHBA ka bërë ndaj Kosovës, prej që Qeveria e Kosovës vendosi tarifën 100 përqind për mallrat serbe dhe boshnjake, si përgjigje  ndaj fushatës diplomatike agresive të Serbisë në heqjen e njohjeve.

Burime të sigurita të Ballkani.info bëjnë të ditur se javën e ardhshme, të mërkurën, në mbledhjen e radhës të Qeverisë do të hiqet taksa/tarifa 100% ndaj mallrave nga Serbia dhe atyre nga Bosnja dhe Hercegovina.

“Pas këtij vendimi, Kurti do të  vendos reciprocitet, të cilin nuk do ta zbatojë menjëherë në terren”, thonë burimet e Ballkani.info.

E një kthesë e tillë e Kurtit nga ato që ka deklaruar në vazhdimësi se taksën do ta heqë, por jo pa e vendosur reciprocitetin, atë e zhvesh edhe nga një premtim tjetër i pambajtur.

Heqja e taksës javën e ardhshme do ta nxisë AAK-në që të thërras seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kundër këtij vendimi, ashtu siç ka paralajmëruar. Nuk është ende e qartë nëse AAK-së do t’i bashkohen edhe dy partitë tjera opozitare në këtë iniciativë, PDK-ja dhe Nisma.

Nëse hiqet taksa, partia e ish kryeministrit Haradinaj ka paralajmëuar edhe protesta. 

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, si kandidatë për Kryeministër në zgjedhjet e 6 tetorit, kishte premtuar heqjen e taksës dhe zëvendësimin e saj me masa të gjëra reciprociteti me Serbinë. Por, tash kur ata udhëheqin koalicionin qeverisës, ende nuk kanë lëvizur në këtë drejtim.

I dërguari i Presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Ambasadori Richard Grenell, është kategorik që taksa të hiqet menjëherë në mënyrë që të rifillojë dialogu. Gjasat janë që një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë të ndodh shumë shpejt. Por, pikërisht kjo duket se po i tremb udhëheqësit e rinj të Kosovës.

Në një intervistë për Radion Europa e Lirë, Kryeministri Kurti kishte deklaruar se “nuk kemi nevojë të nxitojmë në këtë proces, meqenëse në prill edhe në Serbi do të ketë zgjedhje”. Nuk dihet nëse pikërisht për këtë arsye Kurti po e vonon heqjen e taksës. /Ballkani.info/