kirurg

Akuzon kirurgun: Më la fasha në trup, pësova infeksion

Një kallëzim penal është dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prishtinës këtë javë ndaj kirurgut, Halit Maloku.

Kjo me kërkesë të një qytetari nga Prishtina, i cili iu kishte nënshtruar një operimi te mjeku në fjalë në spitalin privat “Aloka”, ku Maloku është edhe pronar.

Ndërhyrjen në zorrë qorre, Adrian Bajrami e kishte kryer shtatë muaj më parë, por, pavarësisht kësaj 38 vjecarit gjendja shëndetësore vetëm sa iu përkeqësua.

Bajrami tregon se muajin e fundit kishte dhimbje të mëdha, fyerje të barkut dhe humbje peshe.

Teksa si shkak i këtyre problemeve me shëndetin, 38 vjecari me probleme të tilla u paraqit prapë në muajin korrik tek mjeku që e kishte operuar.

Veç se siç thotë pacienti, jo që nuk mori ndihmë mjekësore por edhe u ofendua, derisa edhe iu rekomandua të shkojë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK.

Në këtë të fundit iu nënshtrua intervenimit, pasi Adrian Bajrami thotë se gjendja e tij iu keqësua, ku kirurgët e QKUK-së i thanë se i është gjetur një trup i huaj, fashë, nga operacioni i parë.

Edhe u.d i drejtorit të Kirurgjisë Abdominale, Ferat Sallahu tregoi për KlanKosovën se diagnoza, e cila është përshkruar nga kirurgët që e kanë kryer intervenimin është “Gjendja pas operacionit të zorrës qorre para 7 muajve dhe qelb i krijuar në vendin e operacionit si pasojë e trupit të huaj(gazë)”.

Lidhur më krejt këto televizioni ka kontaktuar disa herë spitalin privat por dhe kirurgun në fjalë por që nuk i janë përgjigjur thirrjeve e as mesazheve të dërguara.