Akuzoi gjyqtarët pas ndeshjes me Ballkanin, Munishi përfundon në disiplinor

Komisioni i Garave i Superligës dhe i Ligës së Parë ka bërë inicim disiplinor ndaj trajnerit të FC Prishtinës, Ismet Munishi.

Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve dhe nga video incizimet, ky Komision e ka vendosur në disiplinor trajnerin e prishtinasve për deklaratat e tij pas ndeshjes me Ballkanin, me të cilin Bardhekaltrit barazuan, 2:2.

“Inicim disiplinor ndaj: Kryetrajnerit të FC ”Prishtina”, Ismet Munishi, ID nr.009766M74. Motivi: Në prononcimin për media pas përfundimit të ndeshjes akuzon gjyqtarët për epilogun përfundimtar të ndeshjes Prishtina-Ballkani si dhe të disa ndeshjeve të këtij stinori. Sipas xhirimeve televizive”, shkruan në vendimin e Komisionit të Garave, i cili bëri inicim disiplinor edhe ndaj përfaqësuesit të Llapit, Muhamet Rexhepi, drejtorit sportiv të Istogut, Avdyl Qetaj dhe klubit të futbollit Vushtrria.