Akuza për shantazhe e kërcënime në mes menaxhmentit e sindikatës në Telekom

Kryetari i Sindikatës Profesionale të Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Muhamet Xhemajli po pretendon që është kërcënuar përmes telefonit nga kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, pasi ata kishin reaguar para dy dite në lidhje me gjendjen e Telekomit.

“Pas reagimit publik të Sindikatës, unë kam pranuar një telefonatë, ku jam kërcënuar nga kryeshefi ekzekutiv”, ka deklaruar Xhemajli për KALLXO.com.

Muhamet Xhemajli i cili është edhe udhëheqës i kontrollit të brendshëm në Telekomin e Kosovës ka deklaruar se pas kësaj telefonate, ai e ka raportuar rastin në Polici.

“Pas telefonatës kam shku edhe e kam raportuar rastin në Polici, por pasi rasti është nën hetime nuk kisha dashtë me zbulu më shumë. Kërcënimi ka ndodhur për shkak të punës që ne e bëjmë si Sindikatë”, ka shtuar më tej Xhemajli.Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti – Haziraj ka treguar për KALLXO.com se rasti i raportuar nga Xhemajli është iniciuar si rast kanosje.

“Me datën 21.10.2019 në stacionin Jugu në Prishtinë është iniciuar një rast kanosje. Me rastin po merret njësiti i hetimeve”, ka deklaruar Flora Ahmeti – Haziraj për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me kryeshefin ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, por ai e ka mohuar se ka kërcënuar Xhemajlin.

“Në kohën kur kryetari i Sindikatës e ka raportuar rastin në Polici, unë kam qenë jashtë vendit. Është e vërtetë se e kam kontaktuar përmes telefonit për ta pyetur për reagimin të cilin e ka bërë por nuk ka pasur as kanosje, as kërcënim”, ka deklaruar Istrefi.Gjithashtu, Istrefi ka deklaruar se nga momenti që Muhamet Xhemajlit i është refuzuar avancimi në pozitë, ai ka filluar me reagime.“I njëjti ka kërkuar disa herë që të avancohet në pozitë, ka kërkuar të bëhet edhe drejtor, por nuk i plotëson kriteret, dhe që nga atëherë ka filluar me këto shantazhe”, është shprehur Istrefi.Nga ana tjetër, Muhamet Xhemajli ka thënë se asnjëherë nuk ka kërkuar avancim nga Istrefi.

“Nuk është e vërtet, unë asnjëherë nuk kam kërkuar avancim nga i njëjti, ajo është diversion i të njëjtit dhe po mundohet t’i jap kahje të ndryshme kërcënimeve të veta ndaj punës së Sindikatës dhe të shfajësoj veten”, ka thënë Xhemajli.Më tej, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi ka treguar se është ftuar nga Policia për të dhënë deklaratë në lidhje me këtë rast, por që marrja e deklaratës është shtyrë për një ditë tjetër.“Unë sot kam qenë në Polici për këtë rast por deklaratë nuk kam dhënë pasi që Policia ma ka thënë ta shtyjmë deklaratën për një ditë tjetër”, ka thënë Istrefi.Dy ditë më parë, Sindikata Profesionale e Punëtorëve të Telekomit të Kosovës kishte dalë me një reagim në lidhje me gjendjen e rënduar të Telekomit të Kosovës.

Në një reagim të gjatë, Sindikata kishte thënë se gjendja e kompanisë është shumë e keqe ndërsa punëtorët nuk duhet të paguajnë për keq menaxhim nga ana e menaxhmentit të Telekomit.

loading…