Aktorja e njohur nga filmi Twilight, Kristen Steward, 35 vjeçe, ka kurorëzuar dashurinë me partneren e saj Dylan Meyer në një ceremoni intime të mbajtur në Los Angeles, të dielën, më 20 prill.

Çifti ka shkëmbyer betimet martesore përpara një rrethi të ngushtë familjarësh dhe miqsh të afërt – mes tyre edhe Ashley Benson dhe bashkëshorti i saj Brandon Davis. Më herët, ata kishin siguruar një licencë martese në gjykatë.

Stewart dhe Meyer bënë publike lidhjen e tyre në Instagram në tetor të vitit 2019, ndërsa fejesa e tyre u bë në vitin 2021.

Gjatë një interviste në emisionin The Howard Stern Show në SiriusXM atë vit, Stewart tregoi me humor se ishte Meyer, 37 vjeç – vajza e skenaristit të nominuar për çmimin Oscar, Nicholas Meyer – ajo që mori iniciativën dhe bëri propozimin për martesë.

TMZ, që ishte i pari që raportoi lajmin, fillimisht njoftoi se dyshja u martuan në shtëpinë e Stewart në Los Angeles. Megjithatë, PEOPLE ka mësuar se ceremonia intime e martesës në të vërtetë është mbajtur në Casita Del Campo. Restoranti me kuzhinë meksikane publikoi një njoftim në Instagram duke bërë të ditur se të dielën do të ishte i mbyllur për shkak të një “ngjarjeje private gjatë gjithë ditës dhe natës.”

Fotografitë nga dita e madhe tregojnë Stewart dhe Meyer duke ndarë disa momente të ëmbla së bashku. Ato shfaqen duke u përqafuar, puthur dhe qeshur përpara një grupi të ftuarish që i përshëndesin me entuziazëm.