Edhe pse ditë vikendi, Bordi i RTK-së të shtunën e shkarkoi Zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm, Mentor Shalën. Në vend të tij si u.d. u vendos Arsim Halili, i cili mbahet mend për ofendime ndaj grupeve të caktuara shoqërore.
Ofendimi i tij ndër më të rëndët ishte ai që i bëri komunitetit LGBT në Kosovë, në ditën kur ata protestonin për të drejtat e tyre në vitin 2016, shkruan Demokracia.com.
“Si qytetar i këtij vendi që mëton me shpërthy izolimin shumëvjeçar, i kam tri pyetje koncize: A është edhe LGBT, kusht për liberalizimin e vizave? Ky kusht a plotësohet me sapun, a pa sapun? Edhe e treta, për liberalizim vizash, a ma mirë me sakrifiku me demarkacion a me thobë?!, kishte shkruar publikisht Arsim Halili.
Pas kësaj deklarate, Halili ishte degraduarnga pozita e tij e redaktorit në gazetar të kulturës.
Po ashtu, Demokracia.com ka mësuar se Arsim Halili kishte ofenduar rëndë në baza racore edhe një koleg të tij të komunitetit rom në RTK, për të cilin kishte marrë vërejtje me shkrim.
Ndaj emërimit të Halilit si u.d. i zëvendësdrejtorit të RTK-së ka reaguar edhe zyrtari i Partisë Socialdemokrate, Dren Kukaj.
Sidoqoftë, këto fakte publike për bordin e RTK-së si duket nuk janë me rëndësi. Për shkak të raporteve të afërta që Halili i ka me kryetarin dhe nënkryetaren e Bordit të RTK-së, ai pritet të bëhet Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i RTK-së.
Arsim Halili brenda RTK-së njihet si pjesë e një grupacioni të afërt me presidenten Vjosa Osmani dhe Jeta Xharrën, por dhe me një grup të vogël brenda LVV-së.







