Aktivisti i pakënaqur me LDK-në në Podujevë: S’mund të jem nën një kulm me ata që punuan për humbje

Zyrtari i LDK-së nga komuna e Podujevës, Fidan Rekaliu, ka “shpërthyer” në një mal me akuza ndaj krerëve të subjektit të tij në degën e Podujevës duke thënë se ata kanë punuar për humbje.

LDK humbi dy herë radhazi zgjedhjet lokale në këtë komunë brenda një periudhe të shkurtër. Rekaliu pretendon se arsyet ishin edhe përçarjet brenda degës. Ai thotë se kryetari i tanishëm Ekrem Hyseni e di se kush janë ata që kanë punuar kundër LDK-së.

Në statusin e tij të gjatë ai shton se askush nuk ka marrë përgjegjësinë e as nuk është lodhur për të gjetur arsyet e humbjeve.

Ky është statusi i plotë i tij:

Të dashur anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së në përgjithësi, të degës së LDK-së në Podujevë në veçanti,

Po mbushen 20 vite, prej kur kam nisur aktivitetin tim në LDK dhe për LDK-në. Çdo ditë, pa ndalur kam vepruar dhe kontribuuar që LDK të jetë më e fortë, që LDK të jetë më unike, që LDK të jetë aty ku e ka vendin, si prijatare e shtetit tonë.

Isha shumë i ri kur u angazhova në aktivitetin politik brenda strukturave të LDK-së. Sot, ndjehem mirë kur kujtoj se jam rritur dhe zhvilluar në LDK, me LDK-në dhe për LDK-në.

Nuk ishte e lehtë, as e thjeshtë, megjithatë përherë gjatë këtyre viteve qëndrova i pa thyeshëm, i pa strukur dhe ballëhapur para çdo qytetari dhe aktivisti tonë, pavarësisht vështirësive dhe përballjeve deri në kërcënimet për eliminim fizik (ata të cilët janë më gjatë në proceset e LDK-së e dinë shumë mirë për cilat raste e kam fjalën).

Por, për 20 vite rresht asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk isha vet. Me mua ishit Ju anëtarë dhe simpatizantë e votues të LDK-së, që përkrahjen Tuaj nuk e kushtëzuat asnjëherë. Prandaj, sot e çdo ditë, pafundësisht ju falënderoj secilin prej Jush!

Unë edhe sot jam ai që isha dje! I njëjti dhe i tillë do të mbes përherë! Unë nuk ndryshoj!

Unë jam dhe do jem me Ju gjithmonë, pavarësisht se në çfarë valësh na përplas jeta.

Të dashur anëtarë besnik të LDK-së,

Ta dashur veprimtarë të LDK,

Ju votues besnik të saj,

Derisa po Ju drejtohem me këtë letër publike, ju bëj me dije fillimisht se kjo nuk është letër lamtumirëse nga jeta publike, dhe as nga LDK-ja që e duan Llapjanët – Rugovistët e vërtetë.

Prandaj, jam dhe do jem përherë me Ju, sepse vetëm ndaj Jush kam obligim. Ju që më votuat, Ju që më besuat, Ju që përherë ishit me mua në të gjitha rrethanat, do të shihemi në procese tjera e të reja, shumë më ndryshe dhe në përputhshmëri të plotë me vullnetin Tuaj, me kërkesat Tuaja!

Mirëpo, është tejet e rëndësishme që para vetvetes të kemi një sërë përgjigjesh, të cilat mungojnë edhe përballë nesh, edhe përballë votuesit tonë besnik, edhe përballë secilit anëtarë e veprimtarë të LDK-së.

Për më tepër se 7 muaj, askush, asnjëherë nuk u përgjigj, për pyetjet:

-Si rrodhën proceset në LDK-në e Podujevës gjatë viteve 2021-2022?

-Pse humbi Podujeva?

– Kush e premtoi Podujevën dhe pse si mbajten premtimet?

Këto janë pyetjet e para që kërkojnë përgjigje, që presin përgjigje tash e 7 muaj. Por, nuk mbesin me kaq.

Të respektuar anëtarë, votues dhe përkrahës të LDK-së,

Janë edhe një sërë pyetjesh tjera, për të cilat do t’iu përgjigjem me kohë dhe në kohë. Për të cilat do të flas shumë shpejt.

Për pyetjet se:

-Kush po frikësohet nga e vërteta?

-Përmes kujt po kërkohet eliminimim tim nga politika?

-Kush filloi antifushatën për të më cilësuar si një ndër fajtorët e humbjes së zgjedhjeve lokale në Podujevë, si dhe shumë shpifje të natyrave tjera nga servilë e argat grupesh e klanesh do t’i kuptoni shumë shpejt.

E fundit, por jo për nga rëndësia, por për nga zhvillimet.

Në fushatën e fundit zgjedhore për zgjedhjet komunale, ku LDK-ja doli fituese, me numrin më të madh të asambleistëve, kam shkel cep më cep të komunës sonë, në secilin fshat, në çdo lagje, dhe pothuajse tek të gjitha familjet që janë identiteti dhe identifikimi i LDK-së në Llap, duke iu premtuar reformat e thella, duke iu premtuar hapjen e LDK-së, duke iu premtuar ndryshimin e madh të LDK-së në Podujevë.

Sepse, ky ishte projekti ynë i përbashkët: Një LDK e hapur, një LDK për të gjithë, një LDK nga qytetarët dhe për qytetarët, e jo një LDK e kompromiseve ndërmjet individëve, grupeve, klaneve të cilat për interesa të tyre shkelin jo vetëm mbi premtimet e tyre, por edhe mbi vullnetin e elektoratit, duke kujtuar që asnjëherë nuk do të rikthehen më tek ata.

Të dashur besnikë të LDK-së,

Nuk jam me ta, sepse jam me Juve! Nuk jam i tyre, sepse jam i Juaji! Nuk kam qenë, as nuk do jem asnjëherë pjesë e klaneve, sepse isha, jam dhe do jem vetëm pjesë e elektoratit besnik, besimin e të cilit do ta ruaj besnikërisht!

Nuk jam me ata, sepse nuk më kanë zgjedh! Por, s’jam me ata pikërisht se më kanë zgjedhë!

Në këtë mbledhje të mbajtur, ku u zgjodh Kryesia e “Re” e LDK-së, pjesë të së cilës më kanë zgjedh edhe mua, duke më barazuar me ato figura servilësh, grupesh e klanesh, të cilat kanë punuar kundër LDK-së, kanë punuar kundër fitores së LDK-së në Llap, e që këtë më së miri e dinë ish-kandidati për kryetar Ekrem Hyseni.

Këtë e dinë i gjithë qyteti, sepse në bazë të informatave që vinin nga terreni, emrat e tyre përmendeshin në vazhdimësi për kontributin e tyre në humbjen e LDK-së, për aleancat e tyre me kundërshtarin e për shumë e shumëçka tjetër, prandaj s’mund të jem me ta, sepse nuk jam si ata.

Nuk jam si ata dhe nuk dua të jem me Ata që i shkaktuan humbjen LDK-së në Llap, me ata që nuk e deshën as fitoren e saj në një rast tjetër. Nuk dua të jem kurrë me Ata që u bënë argat të pangopur të humbjes së LDK-së.

E se kush janë Ata, ky është një sekret publik, që e din LDK-ja, e din i gjithë Llapi.

Prandaj, nuk mund të jemi të gjithë në një vend, nën një kulm ata që luftuan për fitore dhe ata që me gjithë qenien e tyre ishin në shërbim të humbjes.

Edhe përkundër se ata dhanë gjithçka që LDK-ja të dalë humbëse, qytetari dhe votuesi besnik i LDK-së vendosi të kundërtën. LDK-në e nxori parti të parë në Llap! Të tillë e bënë ata që iu premtuam dhe u zotuam se LDK-ja do jetë e hapur për ta, do të bëj reforma të thella dhe do ta dëgjoj zërin e tyre, e jo ata që e deshën me gjithë qenien e tyre humbjen e LDK-së.

Unë jam i bindur që ky NUK është reformimi i LDK-së në Podujevë, as nuk është ajo çka iu premtuam bashkërisht secilit votues të LDK-së.

LDK-ja në Podujevë duhet të reflektojë për reformë të thellë në përputhje me kërkesat dhe vullnetin e anëtarësisë dhe qytetarëve të Podujevës.

Të dashur miq,

Për fund ju siguroj që asnjëherë në jetën nuk e kam vendosur interesin personal para interesit të LDK-së, dhe interesit qytetarë.

LDK-ja ka qenë, është dhe do jetë shtëpia jonë politike. LDK-ja është vlerë e papërsëritshme për gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë ata. Por, LDK-në duhet ta mbajmë ashtu si e meriton dhe ashtu si e duan ata qytetarë, votues, anëtar besnik të saj, e jo sipas interesave të dikujt.

Nuk kam fol asnjëherë deri sot, as atëherë kur jam fajësuar, e paragjykuar padrejtësisht. Por, po flas e do të flas gjithnjë kur LDK-ja kërcënohet nga ata që LDK-në e duan për vete, e duan të veten.

LDK-ja është e të gjithëve dhe e tillë do mbetet, edhe përkundër përpjekjeve të tilla.

Unë isha, jam dhe do jem përherë LDK, përherë me Ju!

Faleminderit secilit prej Jush që më besuat mua dhe LDK-së, bashkë do ta bëjmë LDK-në të të gjithëve!