Aktivistët mjedisorë bllokojnë gazin rus në Finlandë

Aktivistët mjedisorë nga organizata Greenpeace kanë bllokuar shkarkimin e dërgesës me gaz të lëngshëm natyror rus (LGN) në një terminal në veri të Finlandës.

“Anija kishte gaz të lëngshëm natyror që vinte nga Rusia”, tha për AFP-në, Olga Vaisanen, zëdhënëse e kompanisë shtetërore finlandeze, Gasum – kompani që po transportonte gazin.

Aktivistët kërkuan nga Finlanda që të ndalojë importin e gazit rus për shkak të vendimit të Rusisë që të pushtojë Ukrainën në fund të shkurtit.

“Është krejtësisht e papranueshme që gazi rus ende të lejohet të dërgohet në Finlandë, gjashtë muaj pasi [presidenti rus, Vladimir Putin nisi pushtimin e tij”, tha aktivisti i Greenpeace, Olli Tiainen përmes një deklarate.

“Qeveria finlandeze dhe kryeministrja Sanna Marin duhet të ndalojnë menjëherë të gjitha importet e karburanteve fosile nga Rusia”, tha ky grup në një postim në Twitter.