Një grup parlamentar i kuvendit britanik ka zbuluar se aktivistet e burgosura në Arabinë Saudite janë duke u përballur me kushte çnjerëzore, të cilat mund të cilësohen si torturë sipas ligjeve saudite dhe ndërkombëtare.
Këto gjetje i kanë rritur shqetësimet e shteteve perëndimore për shkeljen e të drejtave të grave nën pushtetin e princit Mohammed bin Salman, i cili për një kohë të gjatë është përballur edhe me akuzat për vrasjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi.
Paneli i deputetëve ka bërë kërkesë që të takohet me tetë aktiviste të burgosura në mënyrë që ta vlerësojë gjendjen e tyre për së afërmi, por ende nuk kanë marrë përgjigje nga ambasadori i Arabisë Saudite në Mbretërinë e Bashkuar, Mohammed bin Nawwaf bin Abdulaziz.
Pjesë e këtij paneli është edhe deputeti Crispin Blunt, i cili dallohet për qëndrimet e tij mbrojtëse ndaj monarkive të Lindjes së Mesme. Besohet se përvoja dhe qëndrimet e tij politike mund ta lehtësojnë bashkëpunimin me Arabinë Saudite, e cila zakonisht refuzon hetimet e jashtme për sistemin e saj të drejtësisë.
Protestat dhe partitë politike janë të ndaluara në Arabinë Saudite. Megjithatë, zyrtarët e këtij shteti thonë se në vendin e tyre nuk ka të burgosur politikë dhe nuk ka keqtrajtime në burgje. Sipas tyre, monitorimi i aktivistëve është i nevojshëm për ta siguruar stabilitetin social, shkruan “The Guardian”, transmeton Ballkani.info







