Aktgjykimet e prera në 45 raste, kusht për liberalizimin e vizave

Pa përfundimin e gjykimeve të rasteve të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar, Zona Schengen për kosovarët mund të mbetet vetëm ëndërr. Hetimi dhe zbulimi i rasteve të tilla është kusht i Bashkimit Evropian, pa plotësimin e të cilit kosovarët vështirë se do të mund të lëvizin pa viza. Madje, me kalimin e viteve, ky kusht vetëm sa po bëhet pengesë më e madhe për liberalizim. Prej 33 rasteve të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar sa e pengonin këtë proces para dy viteve, numri i tyre ka arritur në 45 raste, në të cilat janë të përfshirë 317 të akuzuar, shkruan Gazeta Express.

Ish kryetari i komunës së Lipjanit, Shukri Buja sot është dënuar me tri vite burgim. Ai është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën kur e drejtonte Komunën e Lipjanit.

Buja dënimin e tij e ka lidhur me faktin se procesi ndaj tij ka qenë një ndër rastet që Bashkimi Europian i ka ‘shënjestruar’ si kusht për liberalizim të vizave. Ai tha gjithashtu se rasti ndaj tij ishte “i orkestruar politikisht” por nuk pranoi të flasë më detajisht se kush mund ta ketë orkestruar atë.

“Pas dënimit tim shpresoj të liberalizohen vizat”, ishin fjalët e para të Bujës pas shpalljes së aktgjykimit.

Por, rasti i Bujës nuk është i vetmi që po e pengon liberalizimin e vizave.

Pa përfundimin e gjykimeve të rasteve të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar, Zona Schengen për kosovarët mund të mbetet vetëm ëndërr.

Hetimi dhe zbulimi i këtyre rasteve është kusht i Bashkimit Evropian, pa plotësimin e të cilit kosovarët vështirë se do të mund të lëvizin pa viza.

Madje, me kalimin e viteve, ky kusht vetëm sa po bëhet pengesë më e madhe për liberalizim. Prej 33 rasteve të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar sa e pengonin këtë proces para dy viteve, numri i tyre ka arritur në më shumë se 40’të.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu i ka thënë Gazetës Express se deri më tani janë shënjestruar 45 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Luftiu tregon se për këto raste janë të përfshirë 317 të akuzuar, 163 prej të cilëve thotë se janë të akuzuar për vepra korruptive, ndërsa pjesa tjetër për krim të organizuar.

“Në kuadër të këtyre rasteve janë të përfshirë 317 të akuzuar, (163 persona për vepra penale korruptive, ndërsa 154 persona për krim të organizuar)”, ka thënë Lutfiu.

Ai tregon se shtatë prej këtyre rasteve janë me aktgjykime të formës së prerë, 12 raste janë me aktgjykim të shkallës së parë dhe 19 raste janë në fazat e shqyrtimin gjyqësor.

Por, shton se ka edhe raste në të cilat janë pushuar hetimet ose janë pezulluar.

Vetëm këtë vit, Luftiu thotë se janë shënjestruar tetë raste dhe janë ngritur nëntë aktakuza.

“Prokurori i Shtetit ka koordinuar shënjestrimin e rasteve duke filluar nga viti 2015 si në vijim: Viti 2015 dhe 2016 – 33  raste, viti 2017 – 4 raste, viti 2018 – 8 raste ( Vetëm gjatë këtyre muajve  kemi shënjestruar 8 raste të reja dhe kemi ngritur 9 aktakuza)”, thuhet në përgjigjet e Prokurorisë drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, për hetimin e këtyre rasteve, para dy viteve ishte formuar edhe një Komision.

Në Ministrinë e Integrimeve Evropiane patën konfirmuar se agjencitë për zbatim të ligjit kishin themeluar një ekip të veçantë të udhëhequr nga një prokuror i prokurorisë speciale në mënyrë që të bashkërendojnë aktivitetet në hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.

Zyrtarë të MIE’së patën thënë se ky ekip përbëhet nga përfaqësues nga policia, prokuroria, dogana, ATK, Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar dhe përgjatë hetimeve vlerëson nëse një rast mund të konsiderohet si korrupsion i nivelit të lartë dhe krim i organizuar.

Ndryshe, për rastet korruptive dhe të krimit të organizuar ishte deklaruar edhe ish- Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek.

Lunaçek pati thënë se Qeveria e Kosovës, që duhet të ofrojë dëshmi konkrete për dënimin e rasteve të nivelit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.

“Dëshmitë konkrete për dënimet e nivelit të lartë për krim të organizuar dhe korrupsion duhet të ofrohen. Duhet thjeshtë të publikohen, duhet të ketë dënime për këto raste të nivelit të lartë. Duhet të dokumentohet, të publikohet dhe kjo është ajo që nevojitet”, kishte thënë Lunacek.