Aktakuzë përmbarueses private në Suharekë, që sekuestroi jashtëligjshëm një traktor

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës S.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e njëjta ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës ose autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, e pandehura S.K., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar në cilësi të përmbarueses private, i tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitojë dobi për vete ose për personin tjetër, ose që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, në atë mënyrë që më 22.12.2021, rreth orës 10:00, në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Përmbarimore, në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Xh.G., nga fshati Studenqan – komuna e Suharekës, urdhëron përmbarimin në objektin e papërshtatshëm, e konfiskon traktorin e tipit “Hurliman”, duke mos qenë pronë e të dëmtuarit, por pronë e tani të ndjerit H.B., nga fshati Reshtan – komuna e Suharekës, të cilin e dërgon në pllacin ndërtimor të kreditorit B.G., NPT “L.”, në rrugën e Reshtanit të Suharekës.

“Me këto veprime e pandehura ka përmbushur elementet e veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar’, sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.