Aktakuzë për grabitjen e 8500 eurove në Deçan

Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve, B.K., F.B., N.H., dhe L.B., për veprën penale ”Grabitje”.

Sipas aktakuzës, katër të pandehurit, B.K., F.B., N.H., dhe L.B., në bashkëkryerje, me datën 22 janar të këtij vitit, rreth orës 11:23 në qytetin e Deçanit, përkatësisht në parkingun e qendrës tregtare “Viva Fresh”, nën kërcënimin e revoles kishin grabitur shumën prej 8,543 (tetëmijepesëqindedyzetetre) mijë euro, nga të dëmtuarit A.R. dhe V.B., të cilët në ato momenti ishin duke dërguar pazarin e ”Viva Fresh” për ta dorëzuar në bankë. Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si me lartë.

Komunikata e dërguar për media thotë se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.

Lidhur me veprat penale të grabitjeve, tri muajt paraprak, Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës, ka ngritur 6 aktakuza, kundër 14 të pandehurve për këto vepra penale, ku vlera e parave të grabitura është rreth 300 mijë euro.